1. Disa pyetje të shpeshta në lidhje me Konventën e OKB-së për të Drejtat e Fëmijës

Living Democracy » Textbooks » 1. Disa pyetje të shpeshta në lidhje me Konventën e OKB-së për të Drejtat e Fëmijës

Përse bën fjalë Konventa?

Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijëve është një traktat ndërkombëtar i të drejtave të njeriut për të rinjtë. Ajo u pranua nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në vitin 1989. Konventa është e përbërë nga 41 nene rreth të drejtave të rinjve, një nen për ndërgjegjësimin e publikut dhe edukimin, dhe 12 nene për mënyrën se si të monitorohet, ratifikohet dhe zbatohet konventa. Konventa për të Drejtat e Fëmijëve është miratuar nga më shumë vende se çdo traktat tjetër ndërkombëtar për të drejtat e njeriut. Deri në janar të vitit 1996, atë e kishin nënshkruar ose ratifikuar 187 vende.

Kush quhet një fëmijë sipas konventës?

Kur OKB-ja thotë “fëmijë”, ajo nënkupton të gjithë të rinjtë nën 18 vjeç, përveçse kur mosha e shumicës (kur dikush konsiderohet i rritur) arrihet më herët. Neni 1 i Konventës na e thotë ne këtë.

Si funksionon konventa?

Edhe pse Konventa nuk është një ligj kombëtar, parimet e konventës duhet të pasqyrohen në legjislacionin, politikat dhe programet kombëtare të vendeve të cilat e kanë nënshkruar dhe ratifikuar atë. Qeveritë duhet të dorëzojnë raporte të rregullta në Kombet e Bashkuara për përparimin e tyre në zbatimin e konventës. Sistemi i raportimit ushtron presion mbi qeveritë që ato të respektojnë të drejtat e të rinjve.

A mundet një konventë të OKB-së të bëjë ndonjë ndryshim në jetën tonë?

Duke ratifikuar konventën, qeveritë angazhohen të respektojnë të drejtat e personave nën 18 vjeç për pjesëmarrje në vendimet që i prekin ata, për mbijetesën dhe mbrojtjen nga çdo rrezik. Neni 4 thotë se kur qeveritë miratojnë konventën, ato do të marrin “të gjitha masat e duhura” për ta vënë atë në praktikë. Ajo gjithashtu thotë se kur veprojnë për të drejtat ekonomike, sociale dhe kulturore, qeveritë bien dakord për të bërë maksimumin e mundshëm me mjetet që kanë në dispozicion. Pasi marim vesh se çfarë do të thotë dhe nënkupton konventa, ne mund të punojmë për të garantuar që këto të drejta do të jenë rregullat që do të përcaktojnë se si do të trajtohen të rinjtë.