Instrumenti 3: Drejtimi i seancave plenare në orët e EQD/EDNJ (diskutim dhe mendim kritik)

Living Democracy » Textbooks » Instrumenti 3: Drejtimi i seancave plenare në orët e EQD/EDNJ (diskutim dhe mendim kritik)

Hyrje

Nxënësit ndajnë mendimet dhe idetë e tyre, të udhëhequr nga mësuesi. Kjo është e gjitha. Ambienti është i thjeshtë, kërkohet vetëm një dërrasë të zezë ose tabelë për të shkruar, ndërkohë që kërkesat për mësuesin janë të larta. “Dialogjet Sokratike” të Platonit shënojnë traditën e gjatë të kësaj mënyre të mësimdhënies dhe Sokrati fokusohej në problemizimin dhe analizën e pikëpamjeve të rreme ose dogmatike të partnerit të tij. Ne sugjerojmë një rol më të përshtatshëm për mësuesin në EQD/EDNJ – një më mbështetës,  të tillë si ai i një trajneri. Aspekti i zhvillimit të kompetencave – nxënësit mësojnë se si të mendojnë dhe të ndajnë mendimet e tyre – është një objektiv po aq i rëndësishëm sa përmbajtja.

Nxënësit janë të angazhuar në një proces të  menduari dhe të mësuari konstruktivist  ndërveprues. Mësuesi i mbështet ata. Në përgjithësi, të menduarit është përpjekje për të lidhur konkreten me abstrakten. Seancat plenare e trajnojnë aftësinë e nxënësve për të menduar. Të menduarit merr kohë. Nxënësit e kujdesshëm janë shpesh mendimtarë të ngadalshëm.

Vetëm shkolla mund t’i ofrojë seancat e drejtuara plenare si një format i të mësuarit. Ashtu si leksioni i mësuesit, ajo mund të përshtatet saktësisht me nevojat e nxënësit, shumë më tepër se çdo tekst ose video mësimore. Kritikët kanë vënë me të drejtë në dukje abuzimin me këtë format: ai është zbatuar shpesh dhe për një kohë shumë të gjatë; mësuesit drejtojnë pyetje për të cilat nxënësit nuk janë të interesuar dhe as nuk janë në gjendje t’u përgjigjen; mësuesit luajnë keq rolin e Sokratit, duke i trajtuar nxënësit si inferiorë dhe të gatshëm të ofrojnë atë që mësuesi dëshiron të dëgjojë.
Por, nëse përdoren me mend dhe të gërshëtuar me praktikëm, seancat plenare janë një format i fuqishëm dhe fleksibël  të mësuari, për rrjedhojë edhe të domosdoshme në EQD/EDNJ. Lista e plotë e mëposhtme përshkruan potencialet mësimore dhe i jep mësuesit  këshilla se çfarë të bëjë dhe çfarë të shmangë. Vëllimet II-V në këtë botim të EQD/EDNJ ofrojnë përshkrime të shumta të seancave plenare me nxënësit, nga niveli fillor deri në nivelin e mesëm të lartë. Pë këtë arsye, nuk janë përfshirë shembuj në këtë instrument.

Roli i nxënësve

Nxënësit:

  • hyjnë në seancë me përvojën e tyre paraprake  – në nivele të ndryshme dhe ata janë të interesuar në temën që po diskutohet;
  • e dinë se kontributi i tyre është i mirëpritur dhe nuk ka nota për ide ose sugjerime “të gabuara”;
  • kanë pjesën e luanit në kohën që flitet;
  • kanë nevoja të ndryshme të të mësuarit (për shembull: “mendimtarët e ngadaltë” – “folës të shpejtë”).

Roli i mësuesve

Mësuesi:

  • komunikon me klasën dhe është në gjendje dhe i gatshëm që të improvizojë, duke reaguar ndaj gjithçkaje që thonë nxënësit;
  • kupton plotësisht temën dhe ka një ide të qartë për rezultatin e seancës;
  • kontrollon, por nuk e dominon seancën plenare, duke marrë një pjesë të vogël të kohës që flitet;
  • u jep nxënësve kohë të mjaftueshme për të menduar;
  • dëgjon pa marrë shënime;
  • dëgjon në mënyrë aktive, nxit shprehjen e ideve  të cilat nxënësit i nënkuptojnë;
  • nxit pjesëmarrjen e nxënësive dhe u drejtohet atyre që kanë prirje  për të qëndruar të heshtur;
  • vepron si mbajtës i kohës, menaxher grupi, menaxher procesi;
  • i jep strukturë diskutimit, duke përdorur dërrasën e zezë (më e preferueshme se tabela), duke ofruar imazhe, simbole, shembuj,  informacion, koncepte dhe korniza;
  • identifikon nevojat e të mësuarit të nxënësve dhe reagon në përputhje me rrethanat. Ai udhëzon nxënësit për çështje që ata nuk i dinë dhe siguron që argumentet dhe linjat e mendimit që janë të gabuara ose jo të plota të kritikohen dhe shqyrtohen nga një nxënës ose mësuesi.

Tema të përshtatshme dhe kontekstet në EQD/EDNJ

Temat e përshtatshme përfshijnë:

  • të punuarit me të dhëna të nxënësve (pyetje, komente, prezantime, detyra shtëpie, përvojën dhe ndjenjat);
  • të punuarit me të dhëna të mësuesve (pyetje, të dhëna, foto, leksione);
  • prezantimi i një koncepti të ri;
  • ndjekja e një leximi ose detyre kërkimore;
  • ndjekja e një faze të mësuarit me detyra – ose probleme (zbërthimi, reflektimi);
  • vlerësim;
  • zhvillimi i një hipoteze për hulumtime të mëtejshme.

Potenciali i të mësuarit

Nxënësit:

  • krijojnë kontekstin për një koncept të ri që mësuesi e sjell me anë të udhëzimeve (të mësuarit konstruktivist);
  • ushtrojnë zhvillimin e të menduarit – bërja e pyetjeve, vlerësimi i kujdesshëm i përgjigjeve që lidhin konkreten me abstrakten dhe anasjelltas (zhvillimi i kompetencës përmes demonstrimit të të menduarit analitik dhe gjykimit kritik);
  • nxënësit ndajnë kriteret e tyre për gjykimin dhe pasqyrojnë arsyet për zgjedhjen e tyre të kritereve (kompetencë e gjykimit ose e të mësuarit konstruktivist ndërveprues);
  • përjetojnë klasën si një mikro bashkësi për të mësuar, në të cilën ata nxiten të marrin pjesë (të mësuarit përmes demokracisë dhe të drejtave të njeriut);
  • trajtohen si ekspertë (forcimin e respektit për veten);
  • vendosin pas shqyrtimit të mendimeve kundërshtuese për  një çështje politike (simulimi i një vendimmarrjeje politike).

Përgatitja

Kriteret për zgjedhjen e një teme:

  • Nxënësit duhet të jenë të informuar për  këtë çështje (lidhjet me përvojën  e nxënësve).
  • Nxënësit kuptojnë rëndësinë dhe vlerën e temës  për t’u diskutuar (lidhja me realitetin, interesi personal).
  • Kundërshtitë: tema paraqet një problem dhe i lejon nxënësit të marrin qëndrime të ndryshme; mësuesi ka një këndvështrim personal, por ai nuk vlerësohet ose imponohet  si  “zgjidhja e duhur”.
  • Mësuesi ka në mendje një matricë që i lejon atij të parashikojë shumicën e asaj që nxënësit kanë gjasa të thonë dhe të integrojë idetë e tyre në një kuadër konceptual (për shembull, pro dhe kundër, kriteret e drejtësisë dhe efikasitetit, konkrete dhe abstrakte, interesa dhe kompromise).
  • Nëse diskutimi nuk fillon me një të kontribut nga nxënësit, mësuesi mendon për fillimin e tij (për shembull, një pyetje ose një e dhënë).
  • Mësuesi harton një përmbledhje të orës së mësimit, për shembull, një diagramë me një koncept të ri, një tezë ose një sërë fjalësh kyçe,  që nxënësit  e zhvillojnë në një tekst si vazhdim i detyrave të shtëpisë.

Gjëra “që duhen bërë”

  • Kur jepni një të dhënë ose drejtoni një pyetje, jepuni nxënësve tuaj kohë për të menduar. Prisni për disa sekonda,  pastaj u jepni fjalën disa nxënësve, njëri pas tjetrit.
  • Variante (ato kërkojnë më shumë kohë, por përmirësojnë në masë të madhe cilësinë e të dhënave të nxënësve dhe të mësimdhënësve): kur ju ofroni një të dhënë ose drejtoni një pyetje:

→      jepuni nxënësve kohë që të shkruajnë idetë e tyre dhe i lejoni të marrin fjalën; nxënësit lexojnë deklaratat ose grumbullojnë idetë e tyre me shkrim  në tabelë ose në një poster në formën e një klasteri;

→      lejojini nxënësit të ndajnë idetë e tyre në çifte dhe pastaj të prezantojnë rezultatet e tyre.

  • Regulli themelor: “Një pyetje (ose ndërhyrje) e mësuesit – shumë përgjigje të nxënësve.”  Në aspektin e menaxhimit të kohës, kjo mund të jetë një seancë e plotë plenare, të cilën mësuesi e mbyll  me përfundimet e tij.
  • Sigurohuni që nxënësit të jenë ulur në një katror ose rreth, çka u lejon atyre  t’i drejtohen dhe të shohin njëri-tjetrin.
  • Sigurohuni që nxënësit të kuptojnë njëri-tjetrin. Nxitini ata të shpjegojnë idetë e tyre dhe çdo terminologji që nxënësit  e tjerë nuk e dinë.

Gjëra “që s’duhen bërë”

Shmangni:

  • drejtimin e pyetjeve të tipit  po/jo. Nëse nuk e bëni këtë, do t’u duhet të bëni të tjera pyetje për të sqaruar të parën.  Parapëlqehen pyetje të hapura ose të shpejta. Pyetjet vijuese mund të jenë më të forta dhe më specifike;
  • tërheqjen në një diskutim me një ose dy nxënës. Përkundrazi, kalojeni pyetjen për klasën;
  • lënien mënjanë ose shpërfilljen e pohimeve të nxënësve që ju kapin të papërgatitur. Ato mund të jenë më interesantet! Këtu përsëri, përfshini klasën;
  • komentin për  çdo pohim të vetëm nga nxënësit me të cilat ju pajtoheni ose jo. Më mirë, ndihmoni  nxënësit të identifikojnë pikat e forta ose dobësitë në argumentet e njëri-tjetrit;
  • kufizimin e rolit tuaj për t’u kërkuar nxënësve të ngrenë duart. Shumë shpesh, nxënësit do të trajtojnë aspekte të ndryshme dhe nëntema dhe diskutimi mund të shkasë në konfuzion ose kaos. Prandaj, merrni iniciativën dhe vendosni ose sugjeroni se cila temë do të trajtohet e para. Nëse nxënësit vënë në dyshim përparësinë e temës së zgjedhur nga ju për t’u trajtuar, përdor argumentin se koha dhe përqendrimi janë të pamjaftueshëm për të diskutuar çdo gjë.

Mësuesi si improvizues – nxënësit  ndezin një diskutim

Deri tani, ne kemi marrë në shqyrtim  seancat plenare të cilat mësuesi i ka përfshirë në planifikimin e një mësimi të EQD/EDNJ.

Megjithatë, nxënësit  mund të nxisin një diskutim në çdo  kohë, shpesh përmes ndonjë vërejtjeje ose komenti që i jep jetë një çështjeje kundërshtuese ose polemike. Nëse koha e lejon, mësuesi duhet të japë nxënësve mundësinë për të vazhduar. Nevojat e tyre mësimore janë të dukshme. Ata, ose të paktën disa prej tyre, janë të interesuar në një çështje.

Shembuj:

  • “Në fund, ju mund të mbështeteni vetëm në familjen tuaj.”
  • “Unë mendoj se për disa njerëz dënimi me vdekje do të ishte një ide e mirë.”
  • “Çfarë ndodh me politikanët që i thyejnë premtimet e tyre elektorale?”
  • Një nxënës i referohet një çështjeje aktuale nga lajmet e përditshme.

Në një situatë të tillë, nxënësit  i vendosin një detyrë mësuesit të tyre. Ai duhet të drejtojë një diskutim pa përgatitje paraprake, vetëm duke improvizuar. Mësuesit nuk duhet të tremben nga një situatë e tillë. Zakonisht mësuesi duhet të ketë në zotërim temën, ndërkohë që mënyrat e bashkëveprimit janë të njëjta si në çdo seancë plenare të përfshirë në një plan mësimor. Një situatë e ngjashme lind kur nxënësit i kërkojnë mësuesit të japë një shpjegim të papërgatitur (“çfarë do të thotë demokracia?”).

Këtu janë disa këshilla si të reagoni në diskutime spontane:

  • Kërkojini  nxënësit që filloi diskutimin  ta shpjegojë çështjen në klasë. Kjo u jep të gjithëve mundësinë për të marrë pjesë, kurse juve, kohë për të menduar.
  • Qartësoni sa kohë doni të lini mënjanë. Vendosni  si do të vazhdoni me temën dhe mësimin pas diskutimit.
  • Kur dëgjoni nxënësit tuaj, bëni kujdes të kuptoni atë që ata dinë dhe kanë ose nuk kanë kuptuar.
  • Merrni iniciativën  të bëni një përmbledhje të  diskutimit ose konkluzionet e tij. Kjo mund të mos jetë e së njëjtës cilësi si ajo për të cilën ju keni pasur kohë ta mendoni më parë, por  për nxënësit është më mirë se të mbyllin diskutimin pa, të paktën, një deklaratë paraprake, e cila do të justifikonte arsyen përse diskutimi u zhvillua dhe përfundoi në atë mënyrë.
  • Ju mund ta caktoni këtë edhe si një detyrë për t’u  vazhduar  nga nxënësit tuaj, por vetëm nëse keni një zgjidhje në mendje.