Mësimi 2: Të drejtat e njeriut: çfarë thonë ato?

Living Democracy » Textbooks » Mësimi 2: Të drejtat e njeriut: çfarë thonë ato?

Nxënësit krahasojnë nevojat e tyre me nenet e Deklaratës Universale të Drejtave të Njeriut

Objektivat e mësimit Nëpërmjet krahasimit të secilës nga nevojat e tyre me një nen në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, nxënësit kuptojnë se Deklarata është në lidhje shumë të ngushtë me nevojat e njerëzve.
Detyrat e nxënësve Nxënësit mendojnë rreth mësimit 1 duke përdorur një listë ose nene të zgjedhura nga Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut.
Burimet Fleta e punës  (Version i thjeshtuar i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut), lista të nevojave nga kapitulli 8 mësim 1.
Metodat Puna në grup, hulumtim.

Përshkrimi i mësimit

Në fillim, mësuesi përmbledh rezultatet e mësimit 1. Ai bën lidhjen midis nevojave dhe të drejtave të njeriut dhe një prezantim të shkurtër të  historisë së të drejtave të njeriut (shih të Drejtat e Njeriut në fletën e punës: një listë për të krahasuar të drejtat dhe nevojat). Mësuesi me këto të dhëna nuk duhet të zgjatet më shumë se 10 minuta.

Nxënësve  u jepet detyra që të përputhin nevojat e tyre (të cilat i kanë përcaktuar) me të drejtat e njeriut, të treguar ne listën e thjeshtuar të të drejtave të njeriut (fleta e punës). Ata duhet të punojnë në grupe të njëjta, si në mësimin e mëparshëm, dhe duhet te marrin parasysh pyetjet e mëposhtme: Cilat të drejta të njeriut janë të rëndësishme për ta, madje edhe në mënyrë të pandërgjegjshme? A munden ata të kuptojnë lidhjen mes të drejtave dhe nevojave? A mund të mendojnë për shembuj nga jeta reale që lidhen me një të drejtë të veçantë? Fletët e punës  mund të ndihmojnë në këtë drejtim. Mësuesi duhet të vendosë nëse, do të punohet me këtë version të thjeshtuar të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut apo me dokumentin origjinal (në dispozicion nëpërmjet internetit) www.un.org/en/documents/udhr/ ).

Përdorimi i versionit të thjeshtuar, duhet ti bëjë nxënësit të jenë në gjendje të njohin mjaft shpejt që të drejtat e njeriut janë zhvilluar në bazë të nevojave të përditshme.

Shembull nga fleta e punës:

Lista e të drejtave themelore “Nevojat” që kemi përcaktuar Cilit nen të Deklaratës origjinale të drejtave të njeriut i përket kjo?
E drejta për të jetuar, ekzistuar
E drejta për të punuar

E drejta e pronës

E drejta e fjalës së lirë

Nxënësit duhet të përpiqen të kopjojnë listën e tyre të nevojave nga mësimi i mëparshëm prej fletës së punës. Kjo nuk do të jetë shumë e lehtë, pasi formulimi i të drejtave dhe nevojave nuk do të jetë i njëjtë.  Megjithatë, kjo mund të nxisë  diskutimet dhe marrjen e vendimeve, që jo gjithmonë janë të qarta. Kjo bëhet qëllimisht.

Në një hap të dytë, grupet që kanë përfunduar duhet të krahasojnë listën e tyre me origjinalin e Deklaratës së të drejtave të njeriut.

Në fund të mësimit, duhet të përgatitet një listë e klasës. Kjo do të thotë se listat e grupit duhet të jenë kopjuar në një listë më të gjerë, e cila do të paraqitet për të gjithë. Nëse janë në dispozicion kompjuterë, nxënësit mund të bëjnë një listë elektronike, duke përdorur si model fletën e punës. Kjo detyrë mund të caktohet për një grup të vogël nxënësish që mund ta përfundojnë këtë si detyrë shtëpie. Nëse është e nevojshme, mësuesi mund ta hartojë vetë listën.