NJËSIA 4: Konflikti

Living Democracy » Textbooks » NJËSIA 4: Konflikti

Çka duhet bërë nëse nuk pajtohemi?

ID_5599

Koncepti i paqes ka një dimension të rëndësishëm kulturor. Tradicionalisht, në kulturat e lashta të lindjes, paqja ka të bëjë më shumë me paqen e brendshme (paqen në mendjet apo zemrat tona) derisa në botën perëndimore, paqja mendohet se është jashtë individëve (mungesa e luftës apo konfliktit të dhunshëm). Në Indi, për shembull, termi për paqe është “shanti”, që nënkupton një gjendje të përkryer të mendjes ose mendje të qetë. Gandhi (Gandi), filozofinë dhe strategjinë e tij i bazoi në një koncept të quajtur “Ahimsa”, që përgjithësisht do të thotë “të përmbahemi nga çdo gjë që është e dëmshme”. Ai tha, “në kuptimin e plotë të fjalës, Ahimsa do të thotë mosdhunë. Por për mua kjo ka një kuptim shumë më të lartë, të lartë pafund. Kjo do të thotë se nuk mund të ofendosh askënd; nuk mund të ushqesh mendime jobamirëse, madje edhe për ata të cilët i konsideroni armiqtë e juaj. Për atë që i bindet kësaj doktrine, nuk ka armiq. “Sipas traditës Maya, paqja i referohet konceptit të mirëqenies dhe lidhet me idenë e një baraspeshe të përkryer në mes të fushave të ndryshme të jetës sonë.16

“Paqja pozitive” përshkruan gjendjen përmes së cilës vullneti kolektiv drejtohet kah promovimi i paqes dhe largimi i barrierave të paqes. Përfshin përkushtimin për drejtësi shoqërore, duke shkuar në këtë mënyrë përtej idesë se paqja është mungesa e frikës, e dhunës dhe e luftës. Përfshin zotimin e zgjidhjes së konfliktit me mjete të padhunshme dhe përpiqet të inkurajojë aftësitë e individëve dhe grupeve ashtu që ata të jenë në gjendje të trajtojnë problemet shoqërore në mënyrë konstruktive. Për mësuesit e EQD-së, gjithashtu do të thotë promovim i proceseve demokratike në klasë, trajtim i çështjeve të pushtetit apo abuzimit të pushtetit, si dhe përpjekje e vazhdueshme për inkurajimin e shkathtësive të të dëgjuarit dhe dialogut konstruktiv, si dhe përkushtimi për zgjidhjen e konfliktit.17

A është dhuna e natyrshme? Shumë njerëz janë të bindur se qeniet njerëzore prej natyre janë të dhunshëm, dhe si pasojë e kësaj ne nuk mund t’i shmangim luftërat, konfliktet dhe dhunën e përgjithshme në jetën tonë dhe në shoqëritë tona. Specialistë të tjerë në këtë fushë pohojnë se ne mund t’i shmangemi mendimit, ndijimit dhe veprimit të dhunshëm. Deklarata e Sevilles mbi Dhunën, e elaboruar në vitin 1986 nga një grup studiuesish dhe shkencëtarësh nga shumë shtete, e konfirmon këtë duke thënë se:

“1. Shkencërisht është e pasaktë të thuhet se ne kemi trashëguar tendencën për të bërë luftë nga stërgjyshërit tanë shtazë (…) Lufta është fenomen vetëm i njerëzve dhe nuk e hasim te shtazët tjera  (…).

2. Ka kultura që nuk kanë bërë luftë me shekuj dhe ka kultura të cilat shpesh kanë bërë luftë në disa periudha por jo në periudha të tjera (…).

3. Shkencërisht është e pasaktë të thuhet se lufta apo ndonjë sjellje tjetër e dhunshme është programuar gjenetikisht në natyrën tonë njerëzore (…).

4. Shkencërisht është e pasaktë të thuhet se njerëzit kanë ‘mendje të dhunshme’ (…) mënyra si ne veprojnë përcaktohet nga mënyra si ne kemi qenë të kushtëzuar dhe të shoqërizuar (…).”

Shumica prej nesh jemi të kushtëzuar nga mjediset tona që të reagojmë në mënyrë agresive dhe të dhunshme. Ne mësohemi të mendojmë, të ndiejmë dhe të veprojmë në mënyrë agresive dhe në disa raste në mënyrë të dhunshme. Kudo që jetojmë, ne i nënshtrohemi një presioni shoqëror dhe kulturor që ne na kushtëzon të lexojmë për dhunën, të shikojmë dhunën dhe të dëgjojmë për dhunën, pothuajse vazhdimisht. Programet televizive, reklamat, gazetat, video lojërat dhe industritë e filmit dhe të muzikës i kontribuojnë shumë kësaj gjendjeje. Para se të arrijë moshën e adoleshencës, fëmija ka parë me mijëra vrasje dhe akte të dhunshme vetëm duke shikuar televizionin. Shoqëritë tona moderne, qoftë me vetëdije apo jo, nuk kërkojnë ndjesë për dhunën. Dhuna konsiderohet si një vlerë pozitive. Në shumicën e kulturave, t’i thuash jo dhunës dhe t’i shmangesh dhunës fizike ose konfrontimit, mund të perceptohet si shenjë e dobësisë, sidomos për meshkujt, të cilët janë nën presion të madh nga shokët e tyre që nga mosha shumë e re.18

Për informacione shtesë, referohuni në fletën e burimeve të mësimdhënësve në fund të kësaj njësie.

Edukimi për Qytetarinë Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut

Përmes kësaj serie të mësimeve nxënësit do të:

  • rrisin njohuritë e tyre për mekanizmat që qëndrojnë pas konfliktit;
  • rrisin njohuritë e tyre për zgjidhjen e konfliktit në mënyrë të padhunshme;
  • rrisin aftësinë e tyre për trajtimin e konfliktit në mjedisin e tyre;
  • rrisin aftësinë e tyre për të marrë parasysh opinionet dhe nevojat e të gjitha palëve të përfshira në konflikt;
  • rrisin njohuritë e tyre për konfliktet në mes të të drejtave të njeriut;
  • rrisin të menduarit e tyre kritik mbi përdorimin e dhunës;
  • rrisin njohuritë e tyre si t’i bëjnë ballë dhunës me të cilën ata janë konfrontuar;
  • të jenë të stimuluar t’i qasen konfliktit në mënyrë të padhunshme.

 

NJËSIA 4: Konflikti

Çka duhet bërë nëse nuk pajtohemi?

 

Titulli i mësimit Objektivat Detyrat e nxënësve Burimet Metoda

Mësimi 1:

Zgjidhja e konfliktit

Paraqitja e qasjes gjashtë- hapësh për zgjidhjen e konfliktit. Analizoni një konflikt; gjeni zgjidhje. Prospektet për nxënës 4.1 Punë në grupe të vogla.

Mësimi 2:

Zbatimi i qasjes gjashtëhapësh

Të mësuarit për zbatimin e qasjes gjashtë-pikësh. Analizoni një konflikt; gjeni zgjidhje. Prospektet për nxënës 4.1 Prospektet për nxënës 4.2 Punë në grupe të vogla.

Mësimi 3:

Konflikt i të drejtave të njeriut

Të mësuarit për njohjen dhe analizimin e situatave ku të drejtat njeriut janë në konflikt. Analizoni një situatë ku të drejtat e njeriut janë në konflikt. Prospektet për nxënës 4.3 Prospektet për nxënës 5.2 Punë nëngrupe të vogla. Të menduarit kritik.

Mësimi 4:

Përdorimi i dhunës

Zhvillimi i të menduarit kritik për pranueshmërinë e përdorimit të dhunës dhe për sjelljen personale. Reflektoni në përdorimin e dhunës dhe në sjelljen personale. Prospektet për nxënës 4.4 Punë në grupe të vogla. Të menduarit kritik.

 

 

16.Tekst i marrë nga “COMPASS, doracak për edukimin e të drejtave të njeriut me të rinj”, Këshilli i Evropës,. Strasbourg 2002, f. 376ff.
17. Nga “Fjalori i termave të edukimit për qytetarinë demokratike” (“A glossary of terms for education for democratic cit- izenship”), Karen O’Shea, Këshilli i Evropës, DGIV/EDU/CIT (2003) 29.
18. Tekst i marrë nga “COMPASS, doracak për edukimin e të drejtave të njeriut me të rinj”, Këshilli i Evropës,. Strasbourg 2002, f. 380.