NJËSIA 7: Gazeta e klasës

Living Democracy » Textbooks » NJËSIA 7: Gazeta e klasës

Të kuptuarit e mediave përmes përgatitjes së tyre

ID_5599

Në tërë botën, prania dhe ndikimi i mediave është rritur gjatë viteve të fundit. Sa më komplekse dhe të ndërvarura që bëhen jetët tona, aq më shumë mbështetemi në informacione, për  të  kuptuar ndikimet dhe zhvillimet nga të cilat ne ndikohemi. Për çdo informacion mbi çështjet të cilat janë jashtë sferës së përvojës tonë personale dhe perceptimit të menjëhershëm, ne duhet të mbështetemi në një medium të informacionit.

Mirëpo, qasja individuale në mediat e ndryshme, ndryshon shumë. Kjo ndikon në nivelin e informacioneve të personit dhe në potencialin e tij për të ushtruar ndikimin dhe pushtetin. Një aspekt tjetër i rëndësishëm është çështja e censurimit dhe problemi i keqinformimit nga partitë, qeveritë dhe grupet e fuqishme ndikuese. Konflikti, duke përfshirë ndryshimin shoqëror ose luftën, u hap rrugë informacioneve të monopolizuara dhe shtrembëruese.

Edhe pse këto raporte reciproke, t’i përmendim disa, nuk do të trajtohen në mënyrë të hollësishme në këtë njësi mbi mediat, nxënësit do të nxjerrin elemente nga ata kur të krahasojnë mediat e shkruara në vendin apo regjionin e tyre, dhe t’i gjykojnë ata sipas kritereve specifike.

Qasja në edukimin për mediat në këtë njësi është e ndryshme. Duke përgatitur gazetën e tyre të murit, nxënësit do të fitojnë ca njohuri mbi përgatitjen e gazetës, dhe kështu do të mësojnë diçka për të vërtetën e mediave “nga brenda”. Përvoja e mësimdhënies ka treguar se kjo qasje nxënësve u mundëson një qasje të drejtpërdrejtë në mediat e shkruara, që është pak e mundshme në jetën e tyre të përditshme. Nxënësit do të shqyrtojnë këtë lloj të mediave në mënyrë kritike dhe do të vlerësojnë edhe mediat elektronike, si dhe përdorimin e këtyre mediave të ndryshme nga ata, nga një perspektivë e re. Ata do të zhvillojnë njohuri për mediat.

Më në fund, një informatë praktike: kjo njësi, në veçanti, kërkon dhe ofron mundësi për mësimdhënie ndër-kurrikulare dhe për bashkëpunim. Shkrimi dhe rishikimi i teksteve mund të bëhet si pjesë e mësimit të gjuhës, kurse dizajnimi i faqosjes mund të jetë detyrë për orën e artit. Në disa raste, klasa ndoshta duhet të fillojë punën në mënyrë të pavarur, me ndihmë shtesë nga një ekip i redaktorëve të nxënësve, të cilët veçanërisht janë të interesuar.

Gazeta e murit ndoshta duhet të jetë e pranishme në jetën e shkollës për ca kohë para se të binden mësimdhënësit tjerë për vlerën e marrjes pjesë në një aktivitet të tillë.

Të mësuarit për Edukimin e Qytetarisë Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut

Njohuritë për mediat është njëri prej çelësave të objektivit të përgjithshëm të të drejtave të njeriut dhe edukatës qytetare – qytetari aktiv dhe qytetari pjesëmarrës. Më poshtë është dhënë një përmbledhje e aspekteve më të rëndësishme të njohurive për mediat

  1. Aftësia e komunikimit i referohet mënyrës së përgjithshme në të cilën njerëzit bashkëveprojnë me njëri tjetrin. Realiteti shoqëror si i tillë nuk ekziston. Më saktë, ai përcaktohet nga njerëzit përmes bashkëveprimit shoqëror, që do të thotë se krijohet përmes akteve të komunikimit. Kjo aftësi e përgjithshme komunikuese fillon me mësimin e gjuhës sonë amtare, dhe zhvillohet tutje me përdorimin e kësaj aftësie në publik.
  2. Çdo njeri e ka këtë aftësi komunikuese nga lindja. Këtë aftësi e kemi dhuratë nga natyra, por kjo duhet të shkollohet, të ushtrohet dhe të përpunohet.
  3. Aftësia për mediat është përfshirë në konceptin që mbulon aftësinë komunikuese. I referohet morisë komplekse të mediave, përdorimi i të cilës duhet të mësohet  dhe  të  ushtrohet,  për shembull, përmes caktimit të kësaj si detyrë për nxënësit. Mediat e shkruara, duke përfshirë gazetën e murit, janë mjete të rëndësishme të komunikimit të përditshëm, për të cilat nxënësit duhet të njoftohen. Mirëpo, ata nuk janë asgjë më shumë se një element në kuadër të qëllimit të përgjithshëm të njohurisë për mediat.

NJËSIA 7: Gazeta e klasës

Të kuptuarit e mediave përmes përgatitjes së tyre

Titulli i mësimit Objektivat Detyrat e nxënësve Burimet Metodat

Mësimi 1:

Gazetat përreth nesh

Nxënësve u paraqitet një shumëllojshmëri e mediave të shkruara. Ata e kuptojnë dallimin në strukturën e përmbajtjes. Nxënësit mbledhin dhe analizojnë gazeta dhe revista të cilat zakonisht lexohen në komunitetet e tyre. Ata bëjnë një poster për të shënuar rezultatet e tyre. Gazeta, gërshërë, ngjitës, fletë të mëdha të letrës. Punë në grupe.

Mësimi 2:

Gazeta jonë është më e mira … a nuk po pajtohesh?

Nxënësit i qartësojnë kriteret për një gazetë apo revistë të mirë. Ata janë të vetëdijshëm për pikëpamjet e tyre, për vlerat dhe për interesat. Nxënësit vlerësojnë prezentimet nga grupet tjera dhe pranojnë kompromise. Prezentimet e përgatitura në mësimin paraprak. Matrica në dërrasën e zezë ose në tabelën shfletuese (flip chart). Prezentime në grupe, diskutim plenar dhe vlerësim.

Mësimi 3:

Ne përgatisim gazetën e murit

Në grupe, nxënësit bien në ujdi për një sërë temash dhe objektivash. Ata bashkëpunojnë në grupe, duke i shkëmbyer idetë e tyre dhe aftësitë me ekipin. Nxënësit vendosin për strukturën e gazetës së tyre të përgatitur bashkërisht. Ata identifikojnë tema të cilat janë relevante për shkollën e tyre, dhe shkruajnë një artikull për rubrikën e tyre në gazetën e murit. Varësisht nga burimet materiale që i kanë në dispozicion, rezultatet do të radhiten prej teksteve në dorëshkrim në tekste të shtypura në kompjuter me fotografi digjitale. Marrja e vendimeve të përbashkëta, punë në grupe.

Mësimi 4:

Çështja jonë e parë!

Në një diskutim të hapur, nxënësit kuptojnë se çka përfshihet në vazhdimin e projektit të gazetës në mur. Ata janë të aftë të marrin një vendim dhe të marrin përgjegjësi për të. Nxënësit duhet të krijojnë opinionet dhe të vendosin për përfshirjen e tyre në një projekt pasues në të ardhmen. Dërrasa e zezë apo tabela shfletuese(flip chart). Diskutim plenar.