6. Të mësuarit në bazë të detyrës: të mësuarit shoqërues

Living Democracy » Textbooks » 6. Të mësuarit në bazë të detyrës: të mësuarit shoqërues

Kapitujt janë ndërtuar si projekte të shkurtëra; nxënësit përballen  me probleme tipike për punën me projekte, që lidhen me lëndën, organizimin e punës, komunikimin, regjistrimin e kohës etj. Duke gjetur rrugët për të identifikuar dhe zgjidhur problemet, nxënësit zhvillojnë një numër kompetencash (të mësuarit e bazuar në detyrë).

Në kapitullin 1, fëmijëve u është dhënë detyra të krijojnë një lule me emrat  dhe fotot e nxënësve. Forma e lules është në dorën e nxënësve. Po kështu, është në zgjedhjen e tyre ku dhe si do të gjejnë materialet, fotot dhe planifikimin e kohës. Në këtë mënyrë, ata do të mësojnë shumë “duke punuar”, ndërkohë që mësuesi duhet të mendojë me kujdes për planifikimin e detyrës dhe të pyetjeve të tilla si: Sa kohë do t’u lihet nxënësve për detyrën e tyre? Cilat janë materialet që ai duhet të sigurojë për ta? A duhet që ai të ndihmojë me disa nga pjesët e luleve të parapërgatitura? (shih variantet për projektin e paraqitur në kapitullin 1).

Ky shembull tregon se, që në moshën e vogël, fëmijët nxiten të marrin përsipër përgjegjësi për punën e bërë në klasë, duke ndarë faktikisht përgjegjësinë e tyre me mësuesin. Përvoja është e rëndësishme nëse nxënësit duhet të planifikojnë punën e tyre në mënyrë të pavarur, në moshë më të madhe.

Në edukimin e të drejtave të njeriut, si degë e EQD, mësuesit i duhet të kryejë  role dhe veprimtari të larmishme.

Të mësuarit “rreth” të drejtat e fëmijëve ngjan me funksionin klasik të mësimit dhe të informimit: nga një lektor, duke lexuar një detyrë, duke parë një video klip etj. Nga ana tjetër, të mësuarit “përmes” dhe “për” të drejtat e fëmijëve, kërkon nga mësuesi të reflektojë për sjelljen dhe personalitetin e tij si model sjelljeje. Nxënësit e vlerësojnë mesazhin e një të rrituri si të besueshëm, nëse ai ose sjellja e tij e mbështet atë, për shembull, me tonin e zërit, mirëkuptimin, tolerancën, paanshmërinë ose nxitje. Të gjitha kapitujt e këtij libri tregojnë se metodat e mësimdhënies dhe të mësuarit lidhen ngushtë me lëndën. Metoda e të mësuarit e bazuar në detyrë kërkon planifikim dhe përgatitje të kujdesshme nga mësuesi, i cili në këtë rast, mund të shfaqet më pasiv në klasë. Megjithatë, gjatë kohës që nxënësit punojnë, mësuesi duhet t’i vëzhgojë me vëmendje për të identifikuar kompetencat dhe nevojat e tyre të të mësuarit nga pikëpamja e njohurive dhe të kuptuarit, aftësive dhe vlerave.