Mësimi 1: Kush është përgjegjës?

Living Democracy » Textbooks » Mësimi 1: Kush është përgjegjës?

Cila është mënyra më e mirë për qeverisjen e një vend?

Objektivi i mësimnxënies Nxënësit mësojnë për forma të ndryshme të qeverisjes, p.sh. demokracia
dhe diktatura.
Detyrat e nxënësve Nxënësit reflektojnë në drejtësinë e sistemit aktual të qeverisjes në një shoqëri imagjinare.
Burimet Kopje të prospekteve për nxënës 9.1 për çdo nxënës, letër dhe stilolapsa.
Metoda Tregim, punë në çifte, diskutim me tërë klasën, debat formal.

Të  mësuarit  konceptual

Format e qeverisjes mund të klasifikohen në mënyra të ndryshme, për shembull, nga pikëpamja se kush e mban pushtetin, si u jepet pushteti njerëzve, ku shtrihet sovraniteti dhe si zbatohen rregullat. Në praktikë, llojet kryesore janë: demokracia, monarkia, teokracia dhe tirania ose diktatura. Këto duhet të konsiderohen si “lloje ideale”, sepse në realitet ata mund të bashkekzistojnë në vendin e njëjtë – për shembull, një demokraci parlamentare mund të përfshijë brenda vetes elemente të diktaturës ose mund të bashkekzistojë me një familje mbretërore në pushtet.

Mësimi

Mësimdhënësi e fillon mësimin duke lexuar tregimin, “Mbretëria Sikkal” (prospektet për nxënës 9.1). Çdo nxënës duhet të ketë kopjen e tij të tregimit, ashtu që ata të mund ta përcjellin derisa mësimdhënësi lexon.

Mësimdhënësi duhet të ndalet gjatë leximit të tregimit dhe të pyes:

  • Çka mendoni për jetën në Sikkal nga ajo që keni dëgjuar deri tani?

Në fund të tregimit, mësimdhënësi duhet të pyes:

  • Çka mendoni për jetën në Sikkal tani?

Mësimdhënësi i ndan nxënësit në çifte dhe kërkon që ata të reflektojnë në cilësinë e jetës në Sikkal. Nxënësve u jepet një fletë e letrës në të cilën ata duhet të shënojnë çka mendojnë se janë përparësitë dhe të metat e të jetuarit në Sikkal.

Mësimdhënësi kërkon nga çiftet që klasës si tërësi t’ia paraqesin mendimet e tyre dhe i shënon argumentet kryesore që t’i shohin të gjithë.

Në vijim mësimdhënësi kërkon që klasa si tërësi të reflektojë në mënyrën se si qeveriset Sikkal:

  • A mendoni ju se Sikkal qeveriset në mënyrë të drejtë? Pse po ose pse jo?
  • Nëse mendoni se mund të qeveriset në mënyrë më të drejtë, çka do të kishte nevojë të ndryshoni që ajo të jetë më e drejtë?

Pastaj mësimdhënësi kërkon që klasa të imagjinojë se ata janë banorë të Sikkal. Klasa është e ndarë në dy grupe të mëdha për debat: nga njëri grup kërkohet që të diskutojë në dobi të vazhdimit të drejtimit të vendit nga mbreti; nga grupi tjetër kërkohet që të përkrahë idenë që çdo banor – jo vetëm mbreti – duhet të shprehin mendimin e tyre për drejtimin e vendit. Mësimdhënësi u jep grupeve disa minuta që të mendojnë dhe të shënojnë argumentet që mund t’i përdorin në debat. Dy grupet e ndryshme ulen përballë njëri tjetrit në anët e ndryshme të klasës dhe fillon debati. Nxënësit nga secila anë me rend i shprehin mendimet e tyre – ndoshta të ndihmuar me “shkop për zërim”, d.m.th. një shkop i përdorur si mikrofon.

Mësimdhënësi kërkon nga nxënësit që të japin mendimet e tyre se cila nga këta dy anë kishte argumentet më bindëse.

Nxënësit tani janë të gatshëm për një shpjegim të shkurtër (qasja induktive). Mësimdhënësi shënon emrat e pesë llojeve të qeverisjes dhe shpjegon si ndryshojnë ata, duke iu referuar mendimeve të nxënësve ku është e mundshme:

  • monarkia;
  • demokracia;
  • diktatura;
  • teokracia;
  • anarkia.

Mësimi përfundon duke i pyetur nxënësit për sistemin e qeverisjes në vendin e tyre. Për detyrë shtëpie, nga nxënësit kërkohet që të mësojnë më shumë për këtë dhe të formulojnë një kuiz – me 5- 10 pyetje – për të testuar dijen e pjesës tjetër të klasës në mësimin pasues.