Informacionet e prapaskenës vetëm për mësimdhënësit: Stereotipat dhe paragjykimet

Living Democracy » Textbooks » Informacionet e prapaskenës vetëm për mësimdhënësit: Stereotipat dhe paragjykimet

Çka është stereotipi?

Njerëzit shpesh përkufizohen si pjesëtarë të grupeve, varësisht nga kultura e tyre, besimeve fetare, prejardhjes së tyre apo karakteristikave të jashtme siç janë ngjyra e lëkurës së tyre, madhësia, modeli i flokëve të tyre apo veshmbathja.

Shpesh ky përkufizim i grupeve shoqërohet me caktimin e kualiteteve të veçanta për njerëzit, ashtu që përfytyrimet specifike të mund të lidhen me grupe të caktuara. Nëse këto përfytyrime janë ekzagjeruar deri në atë masë, sa që vështirë mund të korrespondojnë me realitetin, të tillët i quajmë stereotipa.

Stereotipat mund të gjinden edhe në libra (madje edhe në tekste shkollore), vizatime komike, reklama ose filma. Ju sigurisht se edhe vetë keni hasur në stereotipa të tillë. Mendoni, për shembull, për përfytyrimin e një gruaje afrikane e cila ka të veshur fund të punuar nga gjethet e palmës, me buzë të trasha dhe eshtra të vegjël të ngjitur në hundë.

Nga stereotipi në paragjykim

Nëse një person apo grup vlerësohet duke u bazuar vetëm në stereotipat dhe jo si individ apo grup individësh, kemi të bëjmë me një paragjykim. Faktikisht, është krijuar një mendim për një person ose grup pa i njohur ata/ato. Pikëpamjet dhe idetë e tilla, shumë shpesh, nuk kanë të përbashkët asgjë me realitetin dhe ata shpesh janë të pafavorshme apo armiqësore.

Stereotipat “pozitiv”

Mirëpo, ka edhe stereotipa pozitiv. Për shembull, nëse dikush thotë se zezakët janë vrapues të shpejtë, këtë mund ta quajmë si stereotip pozitiv. Ju mund të mendoni “Po, çka ka të keqe në këtë?”. Por edhe në këtë rast, njerëzit, gabimisht, futen në një thes. Vetëm mendoni: a është vërtetë e saktë se të gjithë zezakët mund të vrapojnë shpejt?

Për çka janë të mirë stereotipat?

Paragjykimet duket se botën e bëjnë më të thjeshtë dhe më pak të komplikuar. Nëse njerëzit takojnë njerëz të tjerë të cilët duken të çuditshëm, ata shpesh e kanë ndjenjën e shqetësimit. Në situata të tilla, paragjykimet u mundësojnë njerëzve të fshehin shqetësimin e tyre – Unë mund të shtirem se di çdo gjë për tjetrin ose tjerët dhe se nuk kam nevojë të parashtroj pyetje. Por si rezultat, që nga fillimi, një takim i rastësishëm kuptimplotë dhe një mirëkuptim i vërtetë janë bërë të pamundshëm.

Cili është efekti i paragjykimeve?

Paragjykimet janë ofenduese. Ato kryesisht përdoren për të trajtuar dikë padrejtësisht. Paragjykimet i privojnë njerëzit nga mundësia për të treguar se kush janë ata dhe për çka janë të aftë. Për shembull, një punëdhënës mund të mos u ofrojë kandidatëve turq punë sepse ai ka dëgjuar se “ata“ gjithmonë vinë në punë me vonesë. Disa njerëz mund të qepen pas paragjykimeve dhe ideve populliste edhe pse nuk e dinë askënd që mund të vërtetojë këto pikëpamje negative.

Çka mund të bëjmë kundër paragjykimeve?

Paragjykimet vështirë zhduken, prandaj edhe është vështirë për t’u marrë me to. Por nuk duhet të humbim shpresën: askush nuk ka lindur me paragjykime. Ata janë mësuar dhe prandaj edhe mund të çmësohen (harrohen). Para se të vlerësoni një person, pyetni atë të shpjegojë pse ai ose ajo e ka bërë atë që është temë diskutimi. Mos harroni se ju me siguri nuk do të dëshironit t’ju vlerësojë dikush pa u dëgjuar.