Mësimi 4: Të drejtat e njeriut janë gjallë!

Living Democracy » Textbooks » Mësimi 4: Të drejtat e njeriut janë gjallë!

Paraqitja dhe diskutimi i rezultateve të anketës

Objektivat e mësimit Nxënësit bëhen të vetëdijshëm se si njerëz të ndryshëm i vlerësojnë në mënyrë individuale dhe ndryshe të drejtat e njeriut.
Ata reflektojnë për proceset e tyre të të mësuarit dhe mundësojnë kështu transferimin e njohurive dhe të kompetencave.
Detyrat e nxënësve Nxënësit paraqesin dhe diskutojnë rezultatet e sondazhit të tyre. Ata reflektojnë për të gjithë procesin e të mësuarit.
Burimet Letër A4.
Metodat Diskutim në grup, diskutim plenar.

 

Informacion

Diskutimi (një shkëmbim argumentesh, nga latinishtja, discussio, d.m.th. argumenti) është një formë e veçantë  e komunikimit verbal mes dy ose më shumë personave, për një ose më shumë çështje, d.m.th përmes diskutimit, ku të dyja palët paraqesin argumentet e tyre. Diskutimi duhet të mbahet në frymën e respektit të ndërsjellë. Një stil i mirë diskutimi kërkon që folësit të lejojnë, madje edhe të nxisin pikëpamjet dhe mendimet e tjera,  duke i marrë ato parasysh  me kujdes, në vend që t’i hedhin menjëherë poshtë. Cilësitë vetjake, të tilla si: qetësia, vetëpërmbajtja dhe edukata, janë në interes të të dyja  palëve. Në skenarin më të mirë, një diskutim do të çojë në zgjidhjen e një problemi ose  në arritjen e një kompromisi, ku të gjithë  të përfshirët të mund ta pranojnë.

Në shoqëritë moderne, diskutimet janë të qytetëruara, domethënë, trajtimi i  çështjeve kundërshtuese, veçanërisht i atyre që kanë të bëjnë me konflikte në bazë interesi, menaxhohet në mënyrë paqësore. Konfliktet nuk duhet të shtypen, por të zgjidhen. Duke mësuar dhe praktikuar aftësitë e tyre për diskutim, nxënësit mësojnë një element themelor të ndërtimit dhe ruajtjes së paqes në shoqëri.

 

Përshkrimi i mësimit

Nxënësit duhet të paraqesin rezultatet e anketës së tyre për qëndrimet, njohuritë dhe zbatimin e të drejtave të njeriut. Nuk do të jetë e mundur që të paraqiten të gjitha rezultatet në një mësim të vetëm. Për këtë arsye,  klasa   ndahet në tre grupe  dhe  çdo grup paraqitet  e rezultateve e përbashkëta.

Vetëm përshtypjet e përgjithshme mund të kalojnë në seancën plenare, e cila do të jetë bazë për diskutimin përfundimtar.

Rekomandohet që çdo nxënës duhet të mbajë shënime në një fletë letre në lidhje me atë që është gjetur më interesante, më e këndshme apo më e bezdisshme gjatë anketimit.

Këto shënime duhet të jenë të shkruara në mënyrë të tillë që nxënësit të mund t’i paraqesin ose t’i varin diku në klasë.

Në vendin tonë ka ende shumë shkelje të të drejtave të njeriut.
Unë u habita se sa shumë njerëz kërkonin t’i përgjigjeshin pyetjeve.
Specifikat për të drejtat e njeriut zakonisht nuk janë të njohura

Për diskutimin përfundimtar  është e rëndësishme që mësuesi të mos e quajë të përfunduar detyrën e tij, me arsyetimin se nxënësit tani dinë gati çdo gjë që ka të bëjë me të drejtat e njeriut. Kjo ka për të qenë vetëm një analizë e parë dhe një qasje për të drejtat e njeriut. Nxënësit duhet të motivohen dhe të etur për të vazhduar të mendojnë rreth njeriut dhe të drejtave, për të mbajtur kurdoherë një qëndrim kritik.

Mësuesi mund ta marrë parasysh idenë e nxitjes së nxënësve të motivuar për të mësuar më shumë rreth të drejtave të njeriut, duke studiuar dokumente të veprimtarisë së Kombeve të Bashkuara, Këshillit të Evropës ose grupeve të të drejtave të njeriut si Amnesty International.

Të gjitha fjalitë kryesore nga rezultatet e studimit duhet të jenë të afishuara ose të varura në klasë dhe nxënësit duhet t’i lexojnë ato në heshtje. Pas kësaj, është i nevojshëm një diskutim, që duhet të ndërtohet  mbi bazën e çështjeve  të mëposhtme  dhe komenteve shoqëruese:

  • Proceset e mësimit
  • Njohuri të reja
  • Përvojat gjatë intervistave
  • Ide për vazhdimësinë e punës me  temën e të drejtave të njeriut, si klasë apo si individ.

Në këtë pikë, do të ishte e rëndësishme që të gjithë të përfshirët (mësuesit, nxënësit dhe gjithë shkolla), të kuptojnë si mund të vazhdojë puna në këtë temë edhe në të ardhmen. Tema e të drejtave të njeriut duhet të jetë gjithmonë me interes për qeniet njerëzore. Ajo asnjëherë nuk duhet të jetë thjesht një punë e mbaruar .