Ushtrimi 8.7. – Pakicat

Living Democracy » Textbooks » Ushtrimi 8.7. – Pakicat
Objektivi mësimore Nxënësit kuptojnë se ndjenja e përjashtimit mund të jetë pasojë jo vetëm e mënyrës si anëtarët e tjerë të shoqërisë të shikojnë, por edhe e mënyrës  si të shohin anëtarët e grupit ku bën pjesë.
Burimet

Një grup skedash pozitive dhe një grup skedash negative për secilin grup.

Dy fleta pune me figura ilustruese për çdo grup, njëra përmban fjalën «Ndjenjat», ndërsa tjetra fjalën «Veprimet».

Stilolapsa me ngjyra.

Procedura

Në fillim të lojës, është e rëndësishme që nxënësit të mos kenë asnjë ide të asaj që përfaqësojnë, përndryshe sakaq mund t’u drejtohen ideve të menduara që më parë të cilat do të shtrembëronin drejtimin e lojës.

Loja përbën një shembull të përfshirjes së kujdesshme e të ndërlikuar nga ana e mësuesit. Nxënësit, brenda kornizës së rreptë, kanë liri të madhe për të zhvilluar e shprehur idetë dhe përvojat e tyre.

  1. Nxënësit formojnë grupe me nga katër deri në gjashtë veta (parapëlqehet jo më shumë).
  2. Secili grup merr një tufë skedash pozitive, një stilolaps shënjues dhe dy fleta letre me figura ilustruese. Mësuesi u kërkon nxënësve të caktojnë një sekretar, në mënyrë që të dokumentojë komentet e grupit dhe reagimet te letrat me figura ilustruese. Me radhë, të gjithë anëtarët e grupit regjistrojnë reagimet e tyre.
  3. Mësimdhënësi u tregon nxënësve se ata, në këtë ushtrim,  nuk do të përfaqësojnë veten e tyre, por do të veprojnë si anëtarë të një pakice. Hëpërhë, ata jo vetëm që duhet të hetojnë se kush janë, por edhe të marrin parasysh mesazhet në skeda që përshkruajnë ata dhe gjendjen e tyre.
  4. Nxënësit lexojnë me zë, njëri pas tjetrit, skedat anëtarëve të tjerë të grupit. Mbasi t’i kenë lexuar të gjashta skedat, atëherë te fleta ku ndodhet rubrika «Ndjenjat» ata shkruajnë përgjigjet e tyre për pyetjen: «Si ndihesh si anëtar i këtij grupi?».
  5. Mësuesi i shpërndan secilit grup,  gjashtë skedat negative, e ato përsëritin Hapin 4.
  6. Mësimdhënësi kërkon nga nxënësit që t’i përgjigjen kësaj pyetjeje: «Çfarë do të bënit sikur të ishit në një situatë të ngjashme?» Përgjigjet duhet të shkruhen në fletën, me titull «VEPRIMET». Nxënësit duhet të mbajnë në mend se ata ende ndodhen në të njëjtin grup që shprehu ndjenjat në fletën e parë. Ndoshta diçka që kanë ndier a shkruar në atë fletë mund t’i ndihmojë të vendosin si të veprojnë.
  7. Seanca plenare:
    • Secili grup i paraqet pjesës tjetër të klasës ndjenjat e parashtruara në fletën e titulluar «ndjenjat».
    • Kur të gjitha grupet të përfundojnë Pjesën I, mësuesi u kërkon të paraqitin sugjerimet e tyre te fleta ku gjendet rubrika «Veprimet». Klasa duhet të identifikojë veprimet konstruktive, veprat e dhunës dhe dallimet midis nxënësve si brenda, edhe jashtë grupeve.
  8. Mësuesi i pyet nxënësit se si kanë punuar në grup dhe nëse hasën ndonjë problem ndërkohë që bënin ushtrimin (bashkëpunimi, udhëheqja etj.), e se çfarë mendojnë që kanë mësuar nga ushtrimi: për veten, për reagimet e tyre dhe për grupin. A munden ata të vendosin një marrëdhënie mes pakicës që përfaqësojnë dhe grupeve të tjera që mund të njohin?
  9. Së fundi, mësuesi u tregon nxënësve se grupi, i përfaqësuar nga ata, është grupi i endacakëve ose, siç njihet ndryshe, Romët ose Ciganët.

Zgjerim

Nxënësit krahasojnë idetë e tyre me Marrëveshjen për eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit racial.8 Studentët mund, po ashtu, të zbulojnë nëse situata e përshkruar përkon me atë në vendin e tyre, çfarë masash janë marrë nga autoritetet për t’u marrë me këtë problem dhe çfarë masash kanë këshilluar për zbatimin e marrëveshjes së lartpërmendur.

Materialet

Komplet skedash pozitive dhe negative

Shtëpitë tona janë ndryshe nga ato të njerëzve të tjerë. Ato janë të veçanta dhe ne i kemi mjaft për zemër ato. Na pëlqen të mbajmë traditat tona. Shtypi dhe programet televizive nuk tregojnë të vërtetën për ne. Ata thonë se ne jemi problem. Nuk na lejojnë të themi pjesën tonë.
Ne kemi shumë aftësi. Bëjmë të gjitha llojet e punëve të krahut dhe ato të zejtarisë. Puna jonë është një ndihmesë e madhe për vendin ku jetojmë. Disa njerëz na trajtojnë keq dhe na vënë damka. Ndonjëherë na sulmojnë pa arsye. Jo shumë kohë më parë, mijëra nga njerëzit tanët janë vrarë jashtë vendit.
Në të kaluarën, njerëzit tanë kanë kryer shumë bëma të guximshme. Ne na pëlqen të përkujtojmë historinë tonë. Ne kurrë nuk kemi ujë të rrjedhshëm, mbeturinat tona mblidhen rrallë.
Ne jemi shumë të pavarur, madje parapëlqejmë të merremi me veten. Prandaj, nuk i detyrohemi gjë kujt. Disa mjekë nuk duan të merren me ne kur sëmuremi. Për ne është e vështirë të marrim për përfitimet nga sigurimet shoqërore.
Ne na pëlqen të mblidhemi së bashku, të tregojmë histori si dhe të këndojmë këngë. Besojmë se kjo ka rëndësi të madhe për ta shijuar jetën. Banorët nuk na duan në lagje. Disa njerëz nuk duan të na japin punë për shkak të asaj që jemi.
Përpiqemi të jetojmë pranë familjeve dhe miqve tanë. Për të moshuarit që bëjnë pjesë në bashkësinë tonë kujdesemi si s’ka më mirë. Ne i adhurojmë fëmijët tanë. Ndonjëherë kemi probleme me policinë dhe pushtetin bashkiak për shkak të vendit që rastisim të zëmë.

 

8. Kjo marrëveshje u pranua nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së më 20 Nëntor 1963. Teksti është i arritshëm nëpërmjet internetit.