Ushtrimi 8.2. – Një qasje e strukturuar për zgjidhjen e konflikteve

Living Democracy » Textbooks » Ushtrimi 8.2. – Një qasje e strukturuar për zgjidhjen e konflikteve
Objektivi mësimor Nxënësit mësojnë teknikën e zgjidhjes së konflikteve. Ata kuptojnë se zgjidhja e konflikteve varet në një shkallë të caktuar nga aftësi që mund të mësohen.
Burimet

Fletë pune për nxënësit: «Zgjidhja e konflikteve në gjashtë faza».

Gazeta dhe revista.

Procedura

  1. Mësuesi përshkruan situatën e një konflikti për të cilin nuk ka zgjidhje të përcaktuar (shembull: një nxënës tallet me një nxënës tjetër që vjen nga një vend i huaj dhe flet me theks të fortë).Situata mund të paraqitet nëpërmjet një demonstrimi. Nxënësit diskutojnë si mund të zgjidhet konflikti. Në këtë mënyrë, ata mund të parashikojnë pjesë të modelit që do të përdorin në këtë mësim ose të bëjnë pyetje që modeli mund t’u përgjigjet.
  2. Fleta e punës ku është shkruar «Zgjidhja e konfliktit në gjashtë faza» u shpërndahet gjysmës së nxënësve, të cilët  e studiojnë në heshtje.Gjysma tjetër e klasës zgjedh raportimin e një konflikti nga një gazetë ose revistë. Ata mund të përdorin përvojën vetjake ose njohuritë e fituara vetë.
  3. Nxënësit formojnë grupe me katër veta që përbëhen nga dy nxënës që e kanë lexuar zgjidhjen e problemeve dhe dy të tjerët që i kanë përcaktuar konfliktet e mundshme.
  4. Nxënësit zgjedhin një konflikt dhe provojnë idetë e zgjidhjes së konflikteve.Dy janë kundërshtarë, ndërsa dy të tjerët veprojnë si ndërmjetës, duke përdorur fletët për të gjetur një zgjidhje.
  5. Seancë plenare:
    • Çfarë konflikti jeni përpjekur të zgjidhni?
    • Si u përpoqët ta zgjidhnit atë?
    • (Si) ju ka ndihmuar modeli i zgjidhjes së konflikteve?

Variacion

  1. Nxënësit përqendrohen në një studim rasti dhe krahasojnë zgjidhjet e tyre.
  2. Sapo nxënësit njihen me procedurën, ajo mund të zbatohet për konfliktet që ndodhin, aktualisht, në klasë.

Materialet

Fletë pune  për nxënësit: zgjidhja e konflikteve në gjashtë faza

1. Identifikoni nevojat.

«Çfarë ju nevojitet (çfarë dëshironi saktësisht?)»

Çdo person që është i përfshirë në konflikt duhet t’i përgjigjet kësaj pyetje, pa akuzuar ose fajësuar tjetrin.

2. Përcaktoni problemin.

«Çfarë besoni se është problemi në këtë rast?»

Tërë klasa mund të ndihmojë për të gjetur përgjigjen që plotëson nevojat e të interesuarve. Kundërshtarët duhet të jenë në gjendje ta pranojnë shpjegimin.

3. Kërkoni një numër zgjidhjesh.

«Kush mund të mendojë për mënyrën e zgjidhjes së mundshme të problemit?»

Të gjithë anëtarët e klasës mund të kontribuojnë me përgjigje. Këto duhet të shkruhen, pa asnjë koment, gjykim ose vlerësim. Në këtë fazë, pikësynimi është që të prodhohen sa më shumë zgjidhje të jetë e mundur.

4. Vlerësoni zgjidhjet.

«A do të kënaqeshit me këtë zgjidhje?»

Secila palë që është e përfshirë në konflikt rishikon alternativat, duke shpjeguar se cilat janë të pranueshme, apo jo.

5. Vendosni cila zgjidhje është më e mirë.

«A e pranoni të dy këtë zgjidhje? A është zgjidhur problemi?»

Duhet të jetë e qartë që të dyja palët e pranojnë zgjidhjen. Duhen vlerësuar përpjekjet e tyre për të gjetur zgjidhje.

6. Shikoni si zbatohet zgjidhja.

«Le të flasim edhe një herë për këtë situatë dhe të sigurohemi se problemi është zgjidhur me të vërtetë.»

Duhet bërë një plan për të vlerësuar zgjidhjen. Vlerësimi, në varësi të natyrës së konflikteve dhe moshës së kundërshtarëve, mund të kryhet minuta, orë ose një ditë më vonë.