Ushtrimi 3.3. – Pema e të drejtave të njeriut

Living Democracy » Textbooks » Ushtrimi 3.3. – Pema e të drejtave të njeriut
Objektivi mësimor Nxënësit zhvillojnë një kuadër konceptual për të gjykuar të drejtat e njeriut
Materialet Stilolapsa me ngjyra, tabakë letre për t’i vënë në mur.

Procedura

  1. Mësuesi i ndan nxënësit në grupe të vogla me nga tre deri në pesë veta.
  2. Mësuesi u kërkon nxënësve të vizatojnë një pemë të bukur dhe ta quajnë «pema e të drejtave tona njerëzore». Pranë fundit të trungut të pemës, nxënësit duhet të shkruajnë «të drejtat e njeriut».
  3. Pastaj pema duhet të pajiset me disa degë që përmbajnë disa nga konceptet kryesore që nxënësit besojnë se janë ose duhet të përfshihen tek të drejtat e njeriut. Rreth degëve kryesore mund të jetë një numër degësh më të vogla për gjërat që ata besojnë se kanë lidhje me degët kryesore.
  4. Pas një kohe të caktuar, grupet varin vizatimet e tyre në mur dhe u shpjegojnë të tjerëve ato që kanë shkruar në to. Këto afishe mund të lihen për disa kohë në mur. Ato do të shërbejnë si zbukuruese dhe, pse jo, mund të përdoren përsëri si mjete gjatë orëve të tjera mësimore.

Shtojcë

Mësuesi, pasi mëson për idetë e nxënësve rreth të drejtave të njeriut, mund të vazhdojë me studimin, më me hollësi, të të drejtave të njeriut ose  të fëmijëve dhe të kuptojë, deri në ç’masë, të drejtat e tanishme përkojnë me ato që kanë shkruar nxënësit.