Hyrje

Living Democracy » Textbooks » Hyrje

1. Qëllimi i këtij manuali

Objektivi i këtij manuali është të mbështesë mësuesit dhe veprimtarët në fushën e Edukimit për Qytetarinë Demokratike dhe të të Drejtave të Njeriut (EQD/EDNJ) – trajnerët, drejtuesit, inspektorët, autorët e teksteve dhe botuesit. Ai përqendrohet në çështje themelore të EQD dhe EDNJ, si më poshtë:

  • Cilat janë kompetencat që qytetarët i kanë të nevojshme për të marrë pjesë në komunitetin e tyre?
  • Cilët janë objektivat e EQD/EDNJ?
  • Cilat janë parimet bazë të EQD/EDNJ?
  • Cila është përmbajtja e koncepteve që formojnë thelbin e këtij botimi për EQD/EDNJ?
  • Si lidhen konceptet e të mësuarit konstruktivist me EQD/EDNJ?
  • Pse EQD/EDNJ vë theksin në metodën që përfshin në këtë edukim të gjithëshkollën?
  • Si të ndihmojmë mësuesit të përgatisin, të mbështesin dhe të vlerësojnë proceset e të mësuarit në EQD/EDNJ?

Manuali ofrom materiale dhe instrumente mbështetëse për t’u dhënë përgjigje këtyre pyejteve. Ky libër nuk është një traktat në fushën e EQD/EDNJ. Për këtë arsye, ai e lejon përdoruesin të përzgjedhë kapitujt dhe materialet që mund të përdorë.

Ky manual ndryshon nga pesë manualet  e tjerë të këtij botimi prej gjashtë vëllimesh për EQD/EDNJ. Vëllimet 2-4  përmbajnë përshkrimin e modeleve të projekteve dhe  njësive mësimore prej katër mësimesh. Një grup prej nëntë konceptesh përcakton kornizën e një kurrikule për ciklin parauniversitar,  të organizuar në formë spirale. Vëllimi 5 përshkruan modelin e nëntë projekteve të shkurtër për të drejtat e fëmijëve në arsimin parashkollor dhe fillor.  Vëllimi 6 përmban një përmbledhje të modeleve për të mësuarit ndërveprues dhe atë  me bazë projekti.

Pjesa e parë e këtij manuali, në njërën anë, skicon parimet themelore të EQD/EDNJ dhe rëndësinë e tyre për mësuesit dhe veprimtarët e këtij edukimi. Pjesa e dytë ofron udhëzime dhe instrumente për të hartuar, mbështetur dhe vlerësuar proceset e të mësuarit  konstruktivist. Pjesa e tretë përmban instrumente  për mësuesit dhe nxënësit në fushën e  EQD/EDNJ. Përdoruesi do të  zbulojë që këto udhëzime dhe instrumente mbështesin jo vetëm EQD/EDNJ, por edhe efektivitetin e mësimdhënies në përgjithësi.

2. Vështrim i përgjithshëm i EQD/EDNJ

Objektivi i EQD/EDNJ, siç paraqitet edhe në titullin e këtij manuali (Edukimi për demokraci), është të aftësojë dhe të nxisë nxënësit si qytetarë të rinj, për të luajtur rol aktiv në shoqërinë dhe komunitetin e tyre politik.  Për të marë pjesë në një komunitet demokratik, nxënësit kanë nevojë të zhvillojnë një numër të madh kompetencash, të cilat përshijnë njohuri, aftësi teknike e metodike dhe vlera e qëndrime,  të tilla si toleranca e përgjegjësia.

“Edukimi për qytetarinë demokratike dhe edukimi për të drejtat e njeriut ndërthuren ngushtë dhe e mbështesin njëri-tjetrin në mënyrë të ndërsjellë. Ata ndryshojnë jo aq në synimet dhe praktikat se sa në fushën e veprimit të tyre. Edukimi për qytetari demokratike përqendrohet kryesisht në të drejtat, në përgjegjësitë demokratike dhe në pjesëmarrjen aktive në fushën qytetare, politike, shoqërore, ekonomike, ligjore dhe kulturore të shoqërisë, ndërsa edukimi për të drejtat e njeriut lidhet me fushën e gjerë të të drejtave të njeriut dhe të lirive themelore në çdo aspekt të jetës së njerëzve”1. Për këtë arsye, EQD vë theksin në rolin e të rinjve në komunitet, ndërsa EDNJ ishikon individin, identitetin, nevojat dhe dëshirat, liritë dhe përgjegjësitë e tij nën “lenten  e të drejtave të njeriut”.

EQD/EDNJ thekson rolin aktiv të nxënësve si qytetarë të rinj, duke ngulur këmbë në nevojën që ata kanë për të ditur, për të kuptuar dhe për të vlerësuar të drejtat e tyre njerëzore dhe, përmes trajnimit në klasë dhe përvojës praktike në jetën e shkollës, të fitojnë besimin për t’i ushtruar ato në praktikë. Për këtë arsye, mund të themi që EQD/EDNJ përbën një hap të rëndësishëm përpara, në krahasim me mënyrën tradicionale të edukimit qytetar. Në këtë mënyrë, duke vlerësuar interesat  dhe përvojat e tyre të jetës së përditshme,  EQD/EDNJ i trajton edhe nxënësit si ekspertë.

EQD/EDNJ përdor mëtodën holistike të mësimdhënies dhe të mësuarit, e cila përmblidhet në tri parime:

  • Të mësuarit rreth demokracisë dhe të drejtave të njeriut.
  • Të mësuarit për demokracinë dhe të drejtat e njeriut.
  • Të mësuarit përmes demokracisë dhe të drejtave të njeriut.

2.1 Të mësuarit rreth demokracisë dhe të drejtave të njeriut

Për nxënësit ështëe rëndësishme të kuptojnë thelbin e demokracisë dhe të të drejtave të njeriut,  të njohin dokumentet  që i përmbajnë dhe si mund të mbrohen e të zbatohen ato.  Si qytetarë të rinj, ata duhet të njohin mënyrën si kushtetuta e vendit të tyre funksionon si  një sistem politik.

2.2 Të mësuarit për demokracinë dhe të drejtat e njeriut

Qytetarët e rinj duhet të mësojnë si të marrin pjesë në komunitetet e tyre dhe si të ushtrojnë të drejtat e njeriut: “Vlerat dhe praktikat demokratike duhet të mësohen dhe të rimësohen për të trajtuar sfidat me cilat përmballet çdo brez. Për t’u bërë anëtarë të plotë dhe aktivë të shoqërisë, qytetarëve duhet t’u krijohen mundësitë për të punuar së bashku në interes të të mirës së përbashkët.Ata duhet të respektojnë pikëpamjet e ndryshme dhe të kundërta; të marrin pjesë në proceset politike; të kultivojnë qëndrimet dhe vlerat e demokracisë dhe të të drejtave të njeriut në jetën dhe veprimtaritë e përditshme. Kështu, ata do të ndihen e do të pranohen si anëtarë të dobishëm të komunitetit, të aftë të marrin pjesë e të sjellin ndryshime në shoqëri.”2

2.3 Të mësuarit përmes demokracisë dhe të drejtave të njeriut

Nxënësit kanë nevojë për një mjedis mbështetës tëmësuari. Ata duhet të përfshihen nëveprimtari tëmësuari dhe mësimdhënieje që u mundësojnë ushtrimin e të drejtave të tyre njerëzore, si liria e mendimit dhe e shprehjes. Atyre duhet t’u krijohen mundësitë për të marrë pjesë në qeverisjen e shkollës së tyre, për të ushtruar të drejtat dhe për të përmbushur përgjegjësitë e tyre. Ata mbështeten në mësuesit e tyre për të ofruar modele të respektit të ndërsjellë, të tolerancës dhe të zgjidhjes paqësore të konfliktit. Nga kjo pikëpamje, demokracia dhe të drejtat e njeriut shërbejnë si udhëzues pedagogjik, si për EQD/EDNJ, si lëndë e veçantë në shkollë, ashtu edhe për vetë shkollën, si mikromjedis shoqëror.

EQD/EDNJ shtron sfida të shumta për nxënësit, mësuesit dhe shkollat. Ky manual u ofron  mësuesve dhe vepritmarëve të shkollës udhëzime dhe mbështetje për t’i zgjidhur ato.

2. Karta e Këshillit të Europës për Edukimin për Qytetari Demokratike dhe për të Drejtat e Njeriut, e miratuar në kuadrin e Rekomandimit CM/Rec(2010) 7 të Komitetit të Ministrave (www.coe.int/edc).
3. Hartley M. and Huddleston T. (2009), Partneriteti Shkollë-Komunitet-Universitet për një demokraci të qendrueshme: Edukimi për demokraci në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara. Paketa EQD/EDNJ, Instrumenti 5, Këshilli i Europës, Strasbourg, fq. 8 (www.coe.int/edc).