Mësimi 1: Si vështrohet një person nga të tjerët

Living Democracy » Textbooks » Mësimi 1: Si vështrohet një person nga të tjerët

Personi është shumë më tepër se sa mund të mendojë dikush

 

Objektivi
i mësimnxënies
Nxënësit përballen me kompleksitetin e opinioneve dhe i bëjnë zgjedhjet e tyre.
Detyrat e nxënësve Nxënësve u caktohen role specifike dhe ata krijojnë opinionet e tyre. Ata mësohen si të ndryshojnë perspektivën.
Burimet Përshkrimi i roleve, prospektet 1.1 (grupet 1-3), fletë të mëdha të letrës, shënues (markera).
Metoda Punë në grupe.

 

Mësimi

Nxënësit formojnë tri grupe dhe marrin prospektet për nxënës 1.1 (në tri versione të ndryshme për grupet e ndryshme), një fletë të madhe të letrës dhe shënues (marker). (Në klasat e mëdha mund të formohen më shumë grupe dhe mësimdhënësi atëherë siguron më shumë skena për lojë ose detyra e njëjtë u jepet grupeve të ndryshme. Kjo e fundit mund të jetë një skenar interesant, sepse do të tregojë se sa mund të jenë të ndryshme përshkrimet dhe të kuptuarit.) Pastaj mësimdhënësi e tregon tregimin e djaloshit që e ka ndërruar shtëpinë dhe është duke eksploruar mjedisin e tij të ri. Ai i tregon klasës për ditarin e djaloshit por atë nuk ia lexon klasës me zë, meqë çdo grup ka marrë vetëm një pjesë të tekstit.

Informacionet e prapaskenës vetëm për mësimdhënësit

Teksti i tërë është si vijon:

“Kjo është dita ime e parë në klasën e re. Familja ime ka ardhur këtu nga një rajon tjetër dhe unë akoma ndjehem si i huaj. I dashuri ditar, shumë gjëra më kanë ndodhur gjatë ditëve të fundit. Do të tregoj disa prej tyre.

Ne tani jetojmë në një banesë afër lumit. Njëri prej djemve të klasës jeton disa banesa larg meje. Ai erdhi tek unë që ditën e tretë të më ftoj të shkoj në peshkim me të. Unë i thash jo sepse grepi im është akoma i paketuar në njërën prej paketave.

Para objektit të shkollës sonë ndodhet një fushë e  madhe  futbolli. Unë u gëzova për këtë sepse më pëlqen të luaj futboll. Pra unë e solla topin me vete dhe doja të filloj stërvitjen. Posa kisha filluar të bëj  një ose dy goditje në gol kur më ndali  kujdestari i shkollës. Ai ishte i zemëruar dhe më pyeti nëse unë dija të   lexoj apo jo. Unë nuk e kisha parë shenjën ku thuhej se fusha ishte e mbyllur pas shiut. U trondita aq shumë sa që shkova në shtëpi pa e thënë asnjë fjalë.

Një njeri i moshuar jeton i vetëm në banesën sipër nesh. Kur unë erdha në shtëpi dje, atë e takova në derën kryesore me gjësendet që i kishte blerë. Ai kishte një qese me ushqim dhe mbushej frymë thellë. Mua më erdhi keq për të, dhe e pyeta nëse mund t’i ndihmoja, dhe ia barta qesen deri tek dera e tij.”

Tri versionet e prospekteve për grupet përmbajnë pjesë të ndryshme të ditarit. Perceptimi i grupeve do të varet nga informacionet që ata i kanë marrë. Prandaj, çdo grup sheh vetëm një pjesë të identitetit të djaloshit dhe këtë opinion e reflekton në luajtjen e rolit. Ashtu siç kërkohet në detyra, grupet së pari paraqesin grupet e tyre të mbiemrave. Një anëtar i çdo grupi i mbledh rezultatet nga diskutimi në grup në një fletë të madhe të letrës për t’i prezentuar në mësimin e ardhshëm.

Tani çdo grup vendos për një rol të shkurtër të lojës që paraqet interpretimin e tyre. Luajtja e këtyre roleve së pari duhet të shpjegohet dhe të diskutohet në klasë dhe pastaj të përsëriten. Kjo mund të bëhet në kënde të ndryshme të klasës, ose ndoshta në sallat e mbledhjeve në objektin e shkollës, në objekte të jashtme ose, nëse këtë e lejon koha, në oborrin e shkollës. Edhe nëse luajtja e këtyre roleve merr pak kohë në fillim, mundi do t’ia vlejë. Për shumë nxënës, ajo çka është e vështirë për t’u shprehur me fjalë tani mund të thuhet thjeshtë dhe qartë.

Objektivi i nxënësve në këtë mësim është që të shënojnë listën e mbiemrave në posterët dhe të përsërisin skenën.

Në fund të mësimit mësimdhënësi i mbledh posterët (ai i rishpërndan ato në fillim të mësimit të ardhshëm) dhe bën një rishqyrtim të shkurtër. Ai reagon pozitivisht dhe shikon temën për mësimin e ardhshëm.