5. Qasja pedagogjike: të mësuarit përmes shembullit

Living Democracy » Textbooks » 5. Qasja pedagogjike: të mësuarit përmes shembullit

Ky manual përshtat metodën induktive me të mësuarit përmes shembullit. Duke studjuar ose përjetuar një ose disa shembuj, nxënësit mund të kuptojnë  një parim abstrakt. Ky manual tregon tre hapat që mësuesi duhet të ndjekë gjatë mësimdhënies përmes shembullit.

  1. Përzgjedhja e kujdesshme e një ose më shume shembujve; përzgjedhja e mjetit dhe metodës që do të përdorë për  t’ia paraqitur atë nxënësve.
  2. Krijimi i fazave të diskutimit dhe të reflsktimit, të moderuara me kujdes, gjatë të cilave nxënësit, duke përdorur një shembull, zhvillojnë njohuritë e tyre të përgjithshme  për një temë dhe konceptet e saj kryesore. Në fazën e diskutimit dhe të reflektimit, nxënësit zhvillojnë të kuptuarit e përgjithshëm dhe kuptojnë konceptet kryesore të paraqitur përmes shembullit.
  3. Krijimi i shanseve të përshtatshme për të përdorur njohuritë dhe kategoritë  e fituara rishtas në kontekste të reja (transferimi i njohurive)

Për të mbështetur mësuesin në realizimin e hapit të dytë, për të gjithë kapitujt mësimorë, përdoret matrica e mëposhtme, që trajton të tre përmasat e EQD dhe edukimin për të drejtat e fëmijëve. Për të drejtuar reflektimin e nxënësve në klasë sugjerohen disa pyetje kyçe. Reflektimi  nga nxënësit është i rëndësishëm, pasi objektivat e të mësuarit nuk duhet të jenë vetëm si ide, por duhet të shprehen nga nxënësit si diçka e kuptuar, e ushtruar, e trajnuar ose si dëshirë e së ardhmes. Duke ndarë idetë e tyre në klasë, nxënësit do të përfitojnë nga njëri-tjetri, ashtu sikurse do të përfitojë i tërë komuniteti i klasës.

Proceset e të mësuarit do të jenë më të efektshme nëse nxënësit e dinë përse dhe për çfarë ata po mësojnë informacionet, konceptet dhe kategoritë, aftësitë ose parimet e sjelljes në komunitetet demokratike. Për këtë arsye, fazat e reflektimit dhe të diskutimit duhet të rezultojnë në përfundime të përgjithshme, sikurse duhet të trajtojnë të gjithë procesin e të mësuarit. Nga pikëpamja e të mësuarit konstruktivist, nxënësit do të njohin metodat personale të të mësuarit në përgjithësi, ç’tipa nxënësish janë, pikat e forta dhe nevojat e tyre të të mësuarit. Mësimdhënia në frymën e të drejtave të njeriut (“përmes”) nxit mësuesit t’u mundësojnë nxënësve hapësirën dhe kohën për të mësuar në interes të plotësimit të nevojave të tyre. Në këtë mënyrë, ne do të njohim profilet tona të të mësuarit, si pjesë e identiteteve tona.

Në  këndvështrimin e drejtimit demokratik, mësuesi duhet të mbajë objektivat e të  mësuarit në kokën e tij, por  t’i ndajë ato me nxënësit, duke e kthyer planifikimin e mësimit nga qëllim në vetvete, në një ushtrim të vendimmarrjes demokratike.

Së fundi, kjo formë e të mësuarit në klasat e të drejtave të fëmijësve u ofron nxënësve  një model të organizimit të proceseve të tyre të të mësuarit. Në shoqëritë moderne, proceset e ndryshimit, për shembull, në shoqëri, teknologji, ekonomi, globalizimi ose mjedisi janë bërë më dinamike dhe komplekse. Kjo i vë brezat e ardhshëm përballë sfidave të reja. Për të arritur suksese në punë dhe në pjesëmarrjen në vendimmarrje,ata do të përfshihen në një proces të mësuari që zgjat gjatë gjithë jetës, për të zgjidhur probleme që sot është e pamundur të parashikohen. Për këtë arsye, nxënësit duhet të bëhen ekspertë në të mësuarit bashkëpunues, në punën me projekte, proceset e vlerësimit dhe të zgjidhjes së problemeve. Në këtë manual, sugjerohen disa nga hapat e parë për fëmijët, në fillimet e jetës së tyre të gjatë, si nxënës të përjetshëm.