Kapitulli 4 – Të kuptojmë të tjerët

Living Democracy » Textbooks » Kapitulli 4 – Të kuptojmë të tjerët

V6_P35&95

Hyrje

Figura tregon një vajzë që shikon me thjerrë zmadhuese një djalë. Pamja e krijuar nga thjerra zmadhuese është e ngjashme, por jo e njëjtë me djalin në të vërtetë. Ky nuk e di se si duket pamja e tij. Figura e re mund të jetë e gabuar apo e vërtetë, madje mund të nxjerrë në pah më shumë hollësi se ato për të cilat djali është i vetëdijshëm ose do të donte të shfaqte. Si njëri, edhe tjetri, janë duke buzëqeshur, kështu që dallimet ndërmjet perceptimit dhe realitetit nuk duket se paraqesin një problem. Vajza qesh me pamjen e djalit dhe jo me djalin e vërtetë

Të gjithë ne i drejtojmë syzet tona zmadhuese, si të thuash, për te njerëzit e tjerë dhe pamjet e tyre i ruajmë në mendje. Njerëzit i gjykojmë nga këto pamje mendore. Ato janë lënda e parë nga të cilat krijojmë stereotipat. Të gjithë ne, nga thjeshtëzime të tilla, vizatojmë botën e ndërlikuar, të cilën askush nga ne nuk është në gjendje ta kuptojë plotësisht. Nëse stereotipat shndërrohen në paragjykime, sidomos negativë, atëherë ato mund të mbjellin përçarje dhe armiqësi në shoqëri.

Ushtrimet në këtë kapitull i ndihmojnë nxënësit të bëhen të vetëdijshëm për perceptimet e tyre dhe për paragjykimet e të tjerëve, për të reflektuar në mënyrë kritike për to dhe për t’i ndrequr nëse është e nevojshme. Prandaj, ky kapitull përqendrohet në shkallën shoqërore të demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Perceptimet tona të përbashkëta, paragjykimet dhe mënyrat e bashkëveprimit me njëri-tjetrin, sigurojnë themelin mbi të cilin duhen ngritur demokracia dhe të drejtat e njeriut. Nuk mjafton që demokracia dhe të drejtat e njeriut të parashtrohen si të vetmet  parime të rëndësishme të qeverisjes dhe të kushtetutës; edhe rrënjët e tyre shoqërore dhe kulturore janë njëlloj të rëndësishme.

Në përgjithësi, nxënësit duhet të kuptojnë veprimin e stereotipave në uljen e shkallës së  kompleksitetit të shoqërive tona dhe të botës ku jetojmë. Ata duhet të kuptojnë se stereotipat mund të jenë të rrezikshme, pasi mbjellin farën e armiqësisë në shoqëri. Kjo mund të ndodhë, sidomos, kur përballemi me njerëzit të huaj, që na ngjallin ndjenjën e frikës. Edukimi i ndihmon njerëzit të identifikojnë paragjykimet dhe stereotipat mashtruese dhe t’i ndreqin ato.

Nxënësit më të rritur mund të kuptojnë se perceptimet dhe paragjykimet tona në fund ndihmojnë për një kulturë që, ose mbështet, ose minon, demokracinë dhe të drejtat e njeriut në një bashkësi. Në kuptimin e vërtetë të fjalës, demokracia fillon me mua  dhe ju.