Mësimi 4: Përdorimi i dhunës

Living Democracy » Textbooks » Mësimi 4: Përdorimi i dhunës

A është përdorimi i dhunës i pranueshëm në disa raste?

Objektivat e mësimnxënies Zhvillimi i të menduarit kritik për pranueshmërinë e përdorimit të dhunës dhe për sjelljen personale.
Detyrat e nxënësve Reflektim në përdorimin e dhunës dhe në sjelljen personale.
Burimet Skeda ose shirita të letrës me raste nga prospektet e nxënësve 4.4. për çdo grup. (Mësimdhënësi duhet të ketë disa informacione të sistemit gjyqësor për zgjidhjen e konfliktit në atë vend.)
Metoda Punë në grupe të vogla.
Të menduarit kritik.

Kuti informacioni

Edhe pse një botë paqësore konsiderohet si objektiv themelor, as ligji ndërkombëtar mbi të drejtat e njeriut as e drejta ndërkombëtare humanitare nuk e përjashtojnë përdorimin e forcës në kuptimin absolut. Ky mësim synon që të kontribuojë në të menduarit kritik të nxënësve për legjitimitetin e përdorimit të forcës në raste specifike. Nga nxënësit kërkohet që të reflektojnë në sjelljen e tyre personale lidhur me dhunën e përdorur nga ata apo nga të tjerët në mjedisin e tyre.

Mësimi

Klasa ndahet në grupe punuese me nga katër apo pesë nxënës. Një nxënës apo mësimdhënësi paraqet rastin nr. 1 nga prospektet e nxënësve 4.4.

Mund të jetë shumë vështirë të trajtohen të katër rastet në një mësim. Ndaj, mësimdhënësi mund të vendosë që rastet e ndryshime t’ua jep grupeve të ndryshme, të zgjedhë vetëm dy nga të katër rastet apo të shtojë një mësim tjetër.

Detyra e grupit është që të diskutojë rastin, duke shfrytëzuar pyetjet e dhëna në skedë, dhe që përgjigjen e tyre ta paraqesin gojarisht. Mësimdhënësi duhet të jetë i vetëdijshëm se çështja fundamentale e cila eksplorohet është se në ç’masë duhet pranuar përdorimin e forcës. Pasi të jetë përgjigjur çdo grup, mësimdhënësi mund të jep informacione shtesë lidhur me rastin para se t’ua shpërndajë rastin tjetër.

Kopja e mësimdhënësit për rastet, pyetjet, dhe informacionet shtesë

Rasti 1

Gjatë një demonstrate për çështjen e anti-globalizimit, një grup i vogël i njerëzve fillon të gjuaj me gurë në ndërtesën e selisë së një kompanie të famshme trans-nacionale. Forcat policore të pranishme në atë vend e shohin këtë duke ndodhur dhe përpiqen të arrestojnë njerëzit e përfshirë në të. Gjatë këtij intervenimi, një polic është zënë nga njerëzit të cilët gjuanin me gurë dhe është rrahur rëndë.

Pyetjet:

  1. A do të ishte e pranueshme që forcat policore të përdorin armët e tyre të gjuajnë njerëzit që hidhnin gurë?
  2. A do të ishte e pranueshme që policia të intervenojë duke përdorur mitraloz? (Kjo do të ishte më e shpejtë por do të rezultonte, pothuajse, sigurisht me më shumë viktima.)
  3. A do të ishte e pranueshme që policia të presin derisa t’u jepet mundësi të intervenojnë duke përdorur top të ujit?
  4. A do të ishte e pranueshme që policia të mos intervenojnë duke përdorur forcën, për t’ju shmangur eskalimit të konfliktit?

Informacion

Sipas standardeve ndërkombëtare, policia mund të përdorin forcën sipas kushteve të caktuara. Forca duhet të përdoret vetëm nëse është e nevojshme dhe ajo duhet të jetë në proporcion me qëllimin e intervenimit. Nëse një polic urdhërohet nga eprori i tij të intervenojë në mënyrën e cila qartazi është në kundërshtim me këtë rregull, sipas rregullave të KB-së, nga ai pritet që të refuzojë zbatimin e këtij urdhri.

Rasti 2

Shteti X i deklaron luftë shtetit Y sepse Y qartazi mbron, madje edhe financon, grupet rebele të cilat veprojnë kundër shtetit X brenda shtetit Y. Ekipi i inteligjencës së shtetit X zbulon se në cilin fshat qëndron një grup i rebelëve të trajnuar mirë dhe të armatosur, dhe mëson se ata po përgatisin një sulm të madh me bombë mbi një objektiv të rëndësishëm industrial.

Pyetjet:

  1. A do të ishte e pranueshme që shteti X të bombardojë këtë fshat rëndë, duke u siguruar që vetëm disa njerëz të mbijetojnë, duke përfshirë edhe banorët lokal?
  2. A do të ishte e pranueshme kjo e mëparshmja pas një kërkese të qartë drejtuar rebelëve për t’u dorëzuar, dhe një paralajmërimi të qartë për popullatën lokale që të largohen nga fshati dhe të tubohen në stadiumin lokal të sporteve, të cilët do të lejoheshin të hyjnë sërish në fshat pas bastisjes së tyre për armë?
  3. A do të ishte e pranueshme të mos intervenohet me përdorim të forcës? Çfarë alternativash mund të mendoni ju?

Informacion

Rregullat ndërkombëtare (të ashtuquajturat “Konventat e Gjenevës”) mbi luftën nuk parashohin ndalim të plotë të përdorimit të forcës ushtarake, por ndalojnë disa lloje të intervenimeve dhe armëve. Njëri prej parimeve është se forca ushtarake nuk duhet përdorur kundër caqeve jo-ushtarake dhe nuk duhet përdorur pa bërë dallime, e as të jetë joproporcionale: për shembull, duhet bërë përpjekje serioze për t’u shmangur viktimave civile duke u përmbajtur nga përdorimi i bombave më të fuqishme kundër caqeve ushtarake në situatat kur bombat më pak të fuqishme do të ishin të mjaftueshme. Në këtë mënyrë, mund të parandalohen viktimat civile dhe vdekja e personave të pafajshëm (të ashtuquajturat “dëme kolaterale”). Mirëpo, siç u tha më lart, kjo nuk do të thotë se “Konventat e Gjenevës” mbi luftën dëmet kolaterale i konsiderojnë të papranueshme, ato i marrin parasysh këto dëme deri në një shkallë të caktuar.

Rasti 3

Z. X, një i ri i cili punon si ndihmës teknik në spitalin lokal, vazhdimisht e rreh gruan e tij kur kthehet në shtëpi i dehur. Një herë gruaja e tij e njoftoi policinë për këto rrahje që ia shkaktonte burri, të cilat ndonjëherë janë të rënda. Gruaja e fqinjit, e cila rastësisht kuptoi për këtë situatë, tanimë e din se çka po ndodh te fqinjët kur ajo i dëgjon ata  duke u grindur dhe bërtitur.

Pyetje:

  1. A  duhet  gruaja  e  fqinjit  ta  njoftojë  policinë  në  rastet  e  tilla,  apo  kjo  është  ndërhyrje  e papranueshme në privatësinë e fqinjëve të saj?
  2. Kur njerëzit marrin informacione nga dikush, a duhet të intervenojë policia në këto rrethana?

Informacion

“(…) Shtetet duhet të dënojnë dhunën kudër grave dhe nuk duhet të thirren në zakonet, traditën ose religjion për t’ju shmangur eliminimit të saj. Shtetet duhet të ndjekin me të gjitha mjetet e duhura dhe pa vonesë politikën e eliminimit të dhunës kundër grave, dhe për këtë qëllim duhet:

(a) Të shqyrtojnë, ata të cilat akoma nuk e kanë bërë këtë, ratifikimin ose miratimin e Konventës mbi eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit kundër grave apo të tërhiqen nga rezervat që i kanë për këtë Konventë;

(b) Të përmbahen nga angazhimi në dhunë kundër grave;

(c) Me këmbëngulje të duhur të punojnë në parandalimin, hetimin dhe, në pajtim me legjislacionin vendor, dënimin e akteve të dhunës kundër grave, qofshin ato akte të kryera nga shteti apo nga personat privat (…).”

Nga Deklarata e KB-së për eliminimin e dhunës kundër grave (1993).

Rasti 4

Leo, 13 vjeç, është një djalë i ri i hollë dhe pak si i vogël. Atë shpesh e bezdisin disa djem të rritur derisa ai po luan në parkun lokal të lojërave.. Kësaj radhe, ai u përgjigjet duke u thënë se ata nuk duhet ta ngacmojnë çdoherë, dhe se ata sillen si të paedukuar, si njerëz primitiv. Si pasojë, djemtë e rritur fillojnë ta rrahin atë shumë ashpër. Shoku i Leos e sheh këtë duke ndodhur kur ai hyn në parkun e lojërave. Disa njerëz të moshuar gjithashtu e shohin këtë duke ndodhur kur ata kalojnë nëpër park duke u kthyer nga dyqani ku kanë blerë ushqime.

Pyetjet:

  1. A duhet të intervenojë shoku i Leo-s në këtë rast? Si?
  2. A duhet të intervenojnë njerëzit e moshuar? Si?
  3. Çfarë zgjidhjesh tjera do të sugjeronit ju?

Si detyrë plotësuese, nxënësit mund t’u shkruajnë letër djemve më të rritur, në të cilën shpjegojnë se çka mendojnë ata për sjelljen e këtyre djemve. Kjo mund të jetë detyrë shtëpie ose detyrë për grupet që punojnë më shpejt.