Mësimi 4: Kuizi për të drejtat e njeriut

Living Democracy » Textbooks » Mësimi 4: Kuizi për të drejtat e njeriut

Çka është e drejtë? Cila duhet të jetë e drejtë e njeriut?

Objektivi i mësimnxënies Nxënësit mësojnë për të drejtat e njeriut të pranuara ndërkombëtarisht.
Detyrat e nxënësve Nxënësit përgjigjen në pyetjet me alternativa të shumta të përgjigjes dhe diskutojnë për implikimet e përgjigjeve të tyre.
Burimet Skeda për çdo nxënës, me zgjedhjet në anën e prapme (shih prospektet për nxënës 5.5).
Metoda Pyetje me zgjidhje të shumfishta.

Kuti informacioni

Edhe pse të drejtat e njeriut është një koncept dinamik, dhe kështu një koncept i cili vazhdimisht po evoluon, e drejta ndërkombëtare përcakton përmbajtjen dhe shtrirjen e të drejtave të njeriut. Kuizi mbi të drejtat e njeriut i cili pason, që nuk duhet të përdoret si test i njohurive, ndihmon për t’u treguar nxënësve se në cilën fazë gjendemi tani në zhvillimin e të drejtave të njeriut. Gjithashtu ndihmon në shmangien e keqinterpretimeve të kornizës mbi të drejtat e njeriut.

Para këtij mësimi, mësimdhënësi duhet të shënojë të gjitha pyetjet që kanë të bëjnë me marrëveshjet e bëra brenda KB-së apo Këshillit të Evropës. Mund të jetë gjithashtu e dobishme që të fillohet me një shpjegim të shkurtër të termave ose koncepteve të përdorura, siç është KB-ja, Këshilli i Evropës (që të mos ngatërrohet me Këshillin Evropian në Bashkimin Evropian), të drejtat e njeriut, kombi/shteti, diskriminimi, gjyqtari ose procesi gjyqësor.

Mësimi

Së pari, mësimdhënësi shpjegon se qëllimi i kuizit nuk është që të testohet njohuria e tyre, por të lartësohet kuptimi i të drejtave të njeriut në mënyrë aktive.

Nxënësit vetë i përgatisin skedat duke prerë shiritat e letrës me pyetjet dhe përgjigjet. Ata pastaj i ngjisin shpinë për shpine në mënyrë që pyetjet dhe përgjigjet t’i kenë në skedën e njëjtë.

Në grupe të vogla (ose në çifte) nxënësit tani ulen së bashku dhe i shtrojnë pyetje njëri tjetrit. Më pas, çdo grupi të nxënësve u jepet grupi i skedave. Çdo pyetje ka tri përgjigje të mundshme, domethënë A, B ose C. Nxënësit zgjedhin atë çka ata besojnë se është përgjigje e saktë për çdo pyetje. Duhet theksuar se ndonjëherë është e mundur të jetë më shumë se një përgjigje e saktë, meqë të drejtat e njeriut janë koncept dinamik që evoluon vazhdimisht, dhe kjo lë hapësirë për interpretim.

Është mirë që ndonjëherë përgjigjet të diskutohen në klasë. Në këtë mënyrë, mësimi nuk do të bëhet një kuiz me pyetje dhe përgjigje i bazuar thjeshtë në njohuritë. Por është me rëndësi që të jemi të gatshëm për diskutim në publik duke e përgatitur edhe elementin e diturisë.

Pyetjet dhe përgjigjet

Shih gjithashtu prospektet për nxënës 5.5. Mësimdhënësi apo një grup i nxënësve përgatit grupe të mjaftueshme të skedave, duke prerë shiritat e gjatë të letrës me pyetjet dhe përgjigjet, duke i palosur ato dhe ngjitur së bashku.

Puna e kryer nga fëmijët që kanë mbushur moshën 17 vjeçare:

A. Gjithmonë është shkelje e të drejtave të fëmijës.

B. Është shkelje e të drejtave të fëmijës nëse puna e lëndon atë.

C. Mund të jetë e pranueshme nëse qeveria ka caktuar moshën minimale të punës të jetë nën 17 vjeç.

Puna e kryer nga fëmijët që kanë mbushur moshën 17 vjeçare:

C është e saktë. Konventa mbi të Drejtat e Fëmijëve ndalon punën e kryer nga fëmija nëse ajo është e rrezikshme apo është formë e eksploatimit, por lejon qeveritë që të caktojnë moshën sipas të cilës ndalesa do të jetë e vlefshme. Po bëhet shumë presion për të arritur kufizime më të ashpra për punën e kryer nga fëmijët.

Sipas marrëveshjeve ndërkombëtare lidhur me të drejtën e shfrytëzimit të ujit:

A. Qeveritë  janë të obliguara që qytetarëve të tyre t’u sigurojnë ujë të pastër dhe të shëndetshëm.

B. Qeverive nuk u lejohet të bëjnë diskriminim kundër disa qytetarëve në sigurimin e ujit.

C. Qeverive nuk u lejohet t’u mohojnë qytetarëve qasjen në furnizimin me ujë.

Sipas marrëveshjeve ndërkombëtare lidhur me të drejtën e shfrytëzimit të ujit:

Sipas interpretimit të Komitetit të KB-së mbi të Drejtat Ekonomike dhe Sociale, B dhe C janë të sakta, A nuk është e saktë. Plotësimi i të drejtës për ujë është diçka për të cilën qeveritë duhet të luftojnë, por kjo e drejtë nuk mund të kërkohet si e tillë nga qytetarët.

Dënimi me vdekje:

A. Në përgjithësi është ndaluar në tërë botën.

B. Është hequr me ligj ose në praktikë nga më shumë se 50% e të gjitha shteteve.

C. Nuk lejohet në rastin e të rinjve nën moshën 18 vjeçare.

Dënimi me vdekje:

B dhe C janë të sakta, A nuk është e saktë. Dënimi me vdekje nuk është tërësisht i ndaluar me traktatet e KB-së, as me KEDNJ, edhe pse në të dyja rastet është ndaluar me një protokoll opcional. Protokolli 6 (heqja e dënimit me vdekje në kohë të paqes) dhe Protokolli 13 (heqja e dënimit me vdekje në të gjitha rrethanat) i KEDNJ janë nënshkruar të dy dhe/ose ratifikuar nga shumë shtete.

Të drejtat ekonomike dhe sociale:

A. Nuk janë të drejta të patundshme të njeriut.

B. Nga shtetet nuk pritet plotësimi i menjëhershëm i këtyre të drejtave për të gjithë individët.

C. Këto të drejta mund të kërkohen nga çdo individ i cili është evropian.

Të drejtat ekonomike dhe sociale:

B është e saktë. Zyrtarisht, të drejtat ekonomike dhe sociale janë të drejta të patundshme të njeriut, edhe pse është e vërtetë se, obligimi për t’i njohur ato është shumë më i brishtë  se për shumicën e të drejtave civile dhe politike. Konventa Ndërkombëtare mbi të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore nga shtetet pret që ata të bëjnë përpjekje për plotësimin e këtyre të drejtave, por nuk ka mekanizëm evropian që individëve do t’u mundësonte të paraqesin ankesë (edhe pse sipas disa kufizimeve të caktuara, një protokoll shtesë lejon organizatat që këtë ta bëjnë).

Sipas dispozitave të të drejtës për edukim:

A. Individëve dhe grupeve u lejohet të hapin një shkollë, me kusht që ata të plotësojnë kushtet minimale ligjore.

B. Nuk ka obligime për sa i përket përmbajtjes së programeve edukative.

C. Qeveritë janë të obliguara të sigurojnë edukim të detyrueshëm për të gjithë të rinjtë nën moshën 18 vjeçare.

Sipas dispozitave të të drejtës për edukim:

A është e saktë, B dhe C nuk janë. Konventat ndërkombëtare, siç është Konventa mbi të Drejtat e Fëmijëve parashohin që, përmes edukimit fëmijët duhet të informohen për të drejtat e njeriut.

E drejta për t’u pranuar si refugjat:

A. Është përcaktuar për njerëzit të cilët kanë frikë të bazuar se do të ndiqen në bazë të racës së tyre, religjionit ose mendimit politik, dhe si pasojë kanë ikur nga vendi i tyre.

B. Gjithashtu ekziston për njerëzit të cilët kanë ikur nga shteti i tyre si pasojë e luftës civile ose urisë.

C. Një qeveri, automatikisht mund t’ua refuzojë të gjithë aplikantëve dhënien e këtij statusi, të cilët vijnë nga një shtet që konsiderohet të jetë i sigurt.

E drejta për t’u pranuar si refugjat:

A është e saktë, B nuk është (edhe pse në disa shtete, njerëzve të cilët ikin nga shteti i tyre si pasojë e luftës civile ose urisë, u ofrohet mbrojtje pa u konsideruar si refugjat sipas konventave ndërkombëtare). C Nuk zbatohet për refugjatët sipas Konventë së Gjenevës, por ka zbatim të gjerë brenda BE-së në trajtimin e azilkërkuesve.

Liria e religjionit:

A. Nuk mund t’u mohohet njerëzve nga arsyeja se i përkasin një religjioni minoritar.

B. Obligon  shtetet  të  njohin  dhe  subvencionojnë religjionet.

C. Në asnjë mënyrë nuk mund të kufizohet nga shteti.

Liria e religjionit:

A është e saktë. Shtetet janë të obliguara të respektojnë lirinë e religjionit, por nuk kanë obligim ligjor për ndonjë sistem të njohjes apo subvencionimit. Shtetet mund të kufizojnë lirinë e religjionit, për shembull, kur religjioni do të ishte në kundërshtim me të drejtat fundamentale të njeriut.

E drejta në pronësi:

A. Nuk do të thotë se qeveritë nuk mund të marrin pronën nga dikush nëse kjo është në interesin publik.

B. Është shkelur nëse një fshat i tërë evakuohet pa kompensim të duhur për të ndërtuar një hidroelektranë.

C. Lejon personin që mallrat e vjedhura t’i konsiderojë si pronë të tij.

E drejta në pronësi:

A dhe B janë të sakta. C me sa duket është gabim.

Zgjedhjet:

A. Të gjithë qytetarëve u lejohet të votojnë, edhe nëse ata i kanë humbur të drejtat e tyre civile për shkak të aktivitetit kriminal.

B. Nëse votuesi është punëdhënës, lejohen dy vota për çdo person.

C. Votimi duhet të bëhet në mënyrë të fshehtë.

Zgjedhjet:

Vetëm C është e saktë. Një shtet mund të ndalojë personin, i cili ka humbur të drejtat e tij civile, të votojë. Të drejtat e barabarta për secilin që ka  të drejtë vote është normë ndërkombëtare.

Liria e shprehjes:

A. Mund  të  kufizohet  për  t’u mbrojtur  kundër shpifjes.

B. Nuk mund të kufizohet për arsye të moralit publik.

C. Mund të kufizohet për të ndaluar mostolerancën religjioze.

Liria e shprehjes:

A dhe C janë të sakta. Liria e shprehjes, nën kushte të caktuara, mund të kufizohet për arsye të moralit publik, për parandalimin e krimit, për mbrojtjen e shëndetit ose për mbrojtjen kundër shpifjes, nëse kjo është e paraparë me ligj.

E drejta për të punuar:

A. Obligon  shtetet  që  të  sigurojnë punë  për  të  gjithë qytetarët e tyre.

B. Do të thotë se askush nuk mund të pushohet nga puna në mënyrë arbitrare.

C. Nuk  do  të  thotë  se  qeveria duhet  bërë  përpjekje  të realizojë punësim të plotë.

E drejta për të punuar:

Vetëm B është e saktë. Në Evropë, shtetet obligohen të bëjnë përpjekje të realizojnë punësim të plotë, por kjo nuk është e përfshirë në traktatet e KB-së.

E drejta për ambient të shëndetshëm:

A. Ndalon shtetet të hedhin plehra toksike që e dëmtojnë tokën në mënyrë të pakthyeshme.

B. Synon të mbrojë qeniet njerëzore,  kafshët dhe bimët.

C. Akoma nuk është vendosur si e drejtë universale.

E drejta për ambient të shëndetshëm:

C është e saktë, edhe pse e drejta për shëndet mbron njerëzit nga dëmet që janë pasojë e drejtpërdrejtë e ndotjes. Në këto raste, në të gjithë botën janë të mbrojtur vetëm qeniet njerëzore, kafshët dhe bimët nuk janë. Karta e Afrikës dhe Karta e Bashkimit Evropian, të cilat nuk janë të vlefshme në të gjithë botën, vendosin deri në një shkallë të caktuar të drejtën për ambient të shëndetshëm.

Sipas të drejtës për edukim:

A. Fëmijët e ciklit fillor nuk duhet të ngarkohen me pagesa shkollore, mund të kërkohen vetëm shpenzimet e ekskursioneve dhe teksteve shkollore.

B. Është obligim i shtetit që të bëjë përpjekje të ndihmojë sa më shumë nxënës që të jetë e mundur të kenë sukses në mësimet e tyre.

C. Shtetet duhet t’u ofrojnë të gjithë nxënësve mundësi të barabarta në edukim.

Sipas të drejtës për edukim:

B dhe C janë të sakta (këto obligime janë të përfshira në Konventën mbi të Drejtat e Fëmijëve). Në parim, edukimi fillor duhet të jetë falas, dhe kjo nuk përfshin vetëm pagesën e shkollës, por edhe shpenzime të tjera indirekte që kanë të bëjnë me aktivitetet themelore shkollore.

Ndëshkimi i fëmijëve në shkollë:

A. Nuk lejohet në formë të ndëshkimit trupor.

B. Nuk ndalohet nëse ndëshkimi është mendërisht mizor.

C. Mund të përdoret vetëm me pëlqimin e prindërve.

Ndëshkimi i fëmijëve në shkollë:

A konsiderohet të jetë e saktë, meqë Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ndëshkimin trupor vazhdimisht e ka konsideruar si shkelje të KEDNJ (dhe kjo përputhet me interpretimin që është dhënë nga Komiteti për të Drejtat e Fëmijëve për Konventën mbi të Drejtat e Fëmijëve). B është e pasaktë, meqë ndalesa ka të bëjë me të gjitha ndëshkimet mizore. Sa i përket C-së, nuk ka dispozitë që ndëshkimin e bën drejtpërdrejt të varur nga pëlqimi i prindërve.

Në shkollë:

A. Nuk duhet kushtuar vëmendje çështjeve ambientale.

B. Fëmijët e vegjël duhet mësuar të respektojnë prindërit e tyre.

C. Fëmijët e vegjël duhet të mësojnë për të drejtat e njeriut dhe të përjetojnë të drejtat e njeriut.

Në shkollë:

B dhe C janë të sakta. Konventa mbi të Drejtat e Fëmijëve përmban dispozita të tilla. Me Konventë gjithashtu përcaktohet se edukimi duhet të ketë synim respektimin e ambientit.

Në gjykatë:

A. Çdo kriminel ka të drejtë në avokat.

B. Njerëzit mund të dënohen vetëm nëse kanë pranuar fajin.

C. I dyshuari ka të drejtë në përkthyes pa pagesë nëse gjykimi mbahet në një gjuhë të cilën ai nuk e kupton.

Në gjykatë:

A dhe C janë të sakta.

Tortura:

A. Lejohet nëse përdoret për të parandaluar sulmet terroriste

B. Lejohet vetëm me vendim të gjyqtarit.

C. Asnjëherë nuk lejohet.

Tortura:
C është e saktë (tortura nuk lejohet as në raste të emergjencës shtetërore).

E drejta për jetë është shkelur nëse:

A. Dikush vdes aksidentalisht për shkak të forcave policore të cilat parandalojnë një sulm mbi jetën e dikujt tjetër.

B. Dikush vdes për shkak të një akti të luftës, edhe nëse ai është i ligjshëm.

C. Dikush vdes për shkak të forcës së  panevojshme të përdorur nga policia.

E drejta për jetë është shkelur nëse:

C është e saktë. Në rastin e A-së, e drejta për jetë mund të shkelet nëse forca e përdorur nga policia tejkalon atë që absolutisht është e nevojshme.

Sipas të drejtës për strehim:

A. Të gjitha shtetet obligohen të sigurojnë që askush të mos jetë i pastrehë.

B. Të huajve duhet ofruar qasje të njëjtë në banesa shoqërore sikurse qytetarëve të atij shteti.

C. Shteti duhet të bëjë përpjekje të zvogëlojë numrin e njerëzve të pastrehë.

Sipas të drejtës për strehim:

B dhe C janë të sakta.

Sipas të drejtës për kujdes shëndetësor:

A. Qeveritë nuk obligohen të parandalojnë aksidentet në punë.

B. Të gjithë duhet të kenë qasje në kujdes shëndetësor.

C. Medikamentet duhet të jenë falas.

Sipas të drejtës për kujdes shëndetësor:

B është e saktë. Parandalimi i aksidenteve në punë konsiderohet si obligim. Medikamentet mund të shiten.

Sipas të drejtës për liri të lëvizjes:

A. Personit mund t’i ndalohet të zgjedhë vendbanimin e caktuar për arsye të sigurisë publike.

B. Refuzimi i dhënies së vizës personit i cili nuk ka qenë i dënuar për ndonjë krim është shkelje e të drejtave të njeriut.

C. Krimineli mund të burgoset.

Sipas të drejtës për liri të lëvizjes:

A dhe C janë të sakta. Dhënia e vizës mund t’i mohohet çdokujt, dhe jo vetëm kriminelëve. Kufizimet e lirisë së lëvizjes mund të shqiptohen edhe për arsye të shëndetit publik, të rendit publik ose të sigurisë shtetërore, nëse parashihet me ligj.