Mësimi 2: Pse njerëzit duhet t’i binden ligjit?

Living Democracy » Textbooks » Mësimi 2: Pse njerëzit duhet t’i binden ligjit?

Cilat janë arsyet themelore për t’ju bindur ligjit?

Objektivat e mësimnxënies Të shqyrtohet natyra e përgjegjësive ligjore të nxënësve.
Të shqyrtohet dallimi në mes të obligimeve morale dhe ligjore.
Detyrat e nxënësve Nxënësit analizojnë një dilemë morale në një diskutim plenar.
Nxënësit, në mënyrë kritike, vlerësojnë arsyet për bindje ligjore.
Nxënësit sugjerojnë situata në të cilat detyrimi moral mund të mos përfill detyrimin për t’ju bindur ligjit
Burimet Kopje të tregimit “Dilema e Schmitt”.
Letër për detyra me shkrim. Dërrasa e zezë.
Metodat Shkëmbim i analizës për dilemën morale.
Analizë e mbështetur nga mësimdhënësi. Përpilimi i tregimeve.
Diskutim plenar.

Të  mësuarit  konceptual

Ligji: Rregull e vendosur nga qeveria lokale apo qendrore.

Sundimi i ligjit: Në shoqëritë demokratike, qeveritë dhe ata që janë në pushtet u nënshtrohen ligjeve të shtetit që janë në fuqi. Ndërrimet e pushtetit kontrollohen në mënyrë demokratike, sipas rregullave të kushtetutës së atij shteti, dhe jo si rezultat i forcës apo luftës. Njerëzit kanë detyrim të përgjithshëm t’i binden ligjit sepse kështu është vendosur në mënyrë demokratike.

Detyrimi ligjor: Obligimet që njerëzit i kanë sipas ligjit.

Përgjegjësia morale: Obligimet personale që njerëzit i ndiejnë bazuar në besimin e tyre se çka është  mirë dhe çka është keq.

Mësimi

Mësimdhënësi paraqet tregimin “Dilema e Schmitt” dhe kërkon që nxënësit të punojnë në çifte që të shqyrtojnë nëse Schmitt duhet ta thyej ligjin dhe të vjedhë paratë apo jo. Mësimdhënësi shkruan opinione të ndryshme në dërrasën e zezë nëse Schmitt duhet të vjedhë paratë.

Mësimdhënësi kërkon që nxënësit të zgjedhin një opinion me të cilin ata pajtohen dhe të shtojnë arsyen e tyre me shkrim:

  • Schmitt duhet të vjedhë paratë sepse…
  • Schmitt nuk duhet të vjedhë paratë sepse…

Mësimdhënësi shkruan vargun e arsyeve të propozuara nga nxënësit në dërrasën e zezë. Për shembull, “Ai duhet t’i vjedhë paratë sepse jeta e vajzës së tij është më e rëndësishme sesa ligji kundër vjedhjes”;

“Ai nuk duhet t’i vjedhë paratë sepse mund ta zënë”; ose “Ai nuk duhet të vjedhë sepse është keq të shkelësh ligjin”.

Në vijim diskutohen arsyet e ndryshme në klasë. Pse janë ato të ndryshme? A janë disa arsye më të mira se sa të tjerat? Në vazhdim mësimdhënësi kërkon që nxënësit të plotësojnë fjalinë vijuese:

“Përgjithësisht është keq të thyesh ligjin sepse…”

Mundësia tjetër është që mësimdhënësi të kërkojë nga klasa të mendojnë për sa më shumë arsye që të munden pse është keq të thyesh ligjin. Si zakonisht, duke ju përgjigjur kësaj pyetje, njerëzit kanë një sërë përgjigjesh, duke përfshirë të mëposhtmet:

“Është keq të thyesh ligjin sepse:

  • mund t’u zënë dhe t’u dënojnë;
  • ligji i mbron njerëzit nga dëmi dhe është e padrejtë të dëmtosh të tjerët;
  • të gjithë do të bënin ç’të donin po të mos i ndalte ligji;
  • shkelja e ligjit shkatërron besimin në mes të njerëzve;
  • për të mbijetuar, shoqërisë i nevojiten ligji dhe rendi, pa ligje do të kishte kaos;
  • shkelja e ligjit cenon të drejtat individuale të njerëzve, siç janë të drejtat në pronësi, e drejta për jetë.”

Mësimdhënësi i tregon klasës se njerëzit kanë një varg arsyesh për t’ju bindur ligjit. Disa prej këtyre kanë të bëjnë me interesin vetjak, arsyet tjera tregojnë shqetësimin për njerëz të tjerë dhe disa tregojnë shqetësimin për mirëqenien e shoqërisë si tërësi (shih shënimet më poshtë).

Për t’i sqaruar këto koncepte, mësimdhënësi mund të vizatojë një seri të tri radhëve koncentrik në dërrasën e zezë në të cilët shënon “vetjake”, “të tjerët” dhe “shoqëria”, duke filluar nga rrethi i brendshëm. Arsyet e ndryshme duhet shënuar në hapësirën e duhur.

Mësimdhënësi thekson se bindja ligjore në vetvete nuk është domosdoshmërisht shenjë e “qytetarit të mirë”. Shumë veprime të këqija janë kryer nga njerëz të cilët, në të vërtetë, iu kanë bindur ligjit, duke thënë se vetëm kanë “kryer detyrën e tyre”. Në anën tjetër, rrëfimi tregon se, kohë pas kohe edhe njerëzit e mirë mund të mendojnë të shkelin ndonjë ligj të caktuar për arsye të fortë morale.

Për të ndihmuar nxënësit të kuptojnë ekuilibrin e vështirë në mes të detyrimeve ligjore dhe përgjegjësive morale, mësimdhënësi kërkon që nxënësit të shkruajnë tregimet e tyre të shkurtra, në të cilët njerëzit (për arsye të forta) mendojnë të thyejnë ligjin. Shembujt mund të jenë shkelja e kufirit të shpejtësisë në një rast emergjent ose mospërfillja e ligjit pse ai është i keq apo i padrejtë.

Disa prej nxënësve i lexojnë shembujt e tyre me zë në diskutimin plenar. Në vijim mësimdhënësi nënvizon dallimin në mes të përgjegjësive morale (të cilat njerëzit i marrin përsipër si pjesë e vlerave dhe besimeve të tyre) dhe detyrimeve ligjore, me të cilat njerëzit ngarkohen nga qeveritë. Tendosja në mes të këtyre dy llojeve të përgjegjësisë mund t’i bëjë qytetarët të kritikojnë disa ligje me të cilat ata nuk pajtohen dhe ata të punojnë për ndryshimin e tyre. Ata madje, herë pas herë, mund të vendosin të shkelin disa ligje për arsye pozitive morale. E kaluara na ofron shumë shembuj të situatave në të cilat njerëzit i kanë shkelur ligjet në mënyrë që t’i kundërshtojnë ato ose të kundërshtojnë qeveritë tiranike. Mësimdhënësi duhet të sqarojë këtë me disa shembuj vendor. Mësimdhënësi duhet të theksojë se veprimet e tilla nuk duhet të merren shkujdesshëm, për shkak se rrezikojnë të dëmtojnë sundimin e ligjit, në të cilën varen demokracitë stabile.

Shënim

Dilema morale e paraqitur në këtë mësim nuk është ndryshe nga e famshmja “Dilema Heinz”e sajuar nga Lawrence Kohlberg, psikologu amerikan, në vitin 1950. Kjo ishte njëra nga një sërë dilemash që të rinjve ua paraqiste Kohlberg dhe kolegët e tij, çdo tri vjet apo më shumë, në mes të moshës 10 dhe 25 vjeçare. U zbulua se të rinjtë, mesatarisht, përparuan me kohë nga përdorimi i arsyetimit vetëdashës kur ata ishin të ri, në përdorimin e arsyetimit të drejtuar kah personi në adoleshencën e hershme. Më vonë, në adoleshencën e mesme, shumica prej tyre treguan përparim në përdorimin e arsyetimit të drejtuar kah shoqëria, edhe pse konteksti dhe dilema mund të kenë ndikim në llojin e arsyetimit që e përdorin njerëzit në çdo kohë. Është konstatuar se fëmijët e moshës më të re, rregullat dhe ligjet i konsiderojnë si jofleksibile dhe të bazuar jo në arsyen shoqërore por vetëm në autoritetin e ligjbërësit. Në fazën e adoleshencës, të rinjtë janë më të vetëdijshëm se ligjet kanë qëllime shoqërore, të cilat qëllime mund të rishikohen, të vihen në dyshim dhe të kritikohen  pse  janë moralisht të papërshtatshëm apo të padrejtë.