1.1 Përmasa njohëse e EQD/EDNJ: të mësuarit “rreth” demokracisë dhe të drejtave të njeriut

Living Democracy » Textbooks » 1.1 Përmasa njohëse e EQD/EDNJ: të mësuarit “rreth” demokracisë dhe të drejtave të njeriut

EQD/EDNJ kërkon nga nxënësit të njohin dokumente të tillë si Deklarata Universale të të Drejtave të Njeriut (DUDNJ) dhe Konventën Europiane. Me një fjalë,  ata duhet të dinë që çdo person gëzon të drejtën për të menduar dhe për t’u shprehur lirisht, të drejtën për një informacion të pacensuruar nga media, me përjashtimet dhe kufizimet e justifikuara ligjërisht  (neni 10 i Konventës Europiane). Kushtetutat e shteteve dhe kuadri ligjor duhet t’i pasqyrojnë dhe t’i mbrojnë standardet e të drejtave të njeriut, të cilat duhet të studiohen nga nxënësit në këtë këndvështrim. Në këtë mënyrë, ata do të kuptojnë rëndësinë dhe domosdoshmërinë e kësaj të drejte për t’i dhënë jetë demokracisë.

Nxënësit duhet të kuptojmë edhe nenin 14 të Konventës, i cili trajton parimin themelor të barazisë dhe të mosdiskriminimit: gratë dhe burrat, të pasurit dhe të varfërit, të rinjtë dhe të moshuarit, anëtarët e një kombi dhe emigrantët- të gjithë duhet t’i zotërojnë këto të drejta në mënyrë të barabartë. Gëzimi i këtyre të drejtave nënkupton  një proces zhvillimi dhe një ndër programet e sistemeve demokratike të qeverisjes së bazuar në të drejtat e njeriut.

Së fundi, nxënësit duhet të kuptojnë përse liritë kërkojnë një kuadër ligjor dhe bartësin e përgjegjësive (DUDNJ, Neni 29). Liria e shprehjes u mundëson qytetarëve të nxisin interesat e tyre në një shoqëri pluraliste dhe në një mjedis konkurrues, me fitues dhe humbës. Kushtetuta, rregullat dhe ligjet duhet të sigurojnë kuadrin e duhur që kufizon liritë e të më të fortëve dhe mbron të dobëtit, pa përligjur ndryshimet ndërmjet tyre. Megjithatë, ligjet nuk mund të zgjidhin çdo problem dhe, për këtë arsye, anëtarët e një komuniteti duhet të ndajnë përgjegjësinë e tyre të përbashkët ndaj njeri-tjetrit.

Të drejtat e njeriut nënkuptojnë edhe një përmasë detyruese. Ato kërkojnë që nxënësit të njohin shkallën në të cilën parimet e të drejtave të njeriut realizohen në komunitetin e shkollës dhe më gjerë, në shoqëri.

KONVENTA EUROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT (4.11.1950)

NENI 10 

Liria e shprehjes

  1. Çdokush ka të drejtën e lirisë së shprehjes. Kjo e drejtë përfshin lirinë e mendimit dhe lirinë për të marrë ose për të dhënë informacione dhe ide pa ndërhyrjen e autoriteteve publike dhe pa marrë parasysh kufijtë. Ky nen nuk i ndalon Shtetet që t’u kërkojnë ndërmarrjeve të transmetimit audioviziv, televiziv ose kinematografik të pajisen me liçencë.
  1. Ushtrimi i këtyre lirive që përmban detyrime dhe përgjegjësi, mund t’u nënshtrohet atyre formaliteteve, kushteve, kufizimeve ose sanksioneve të parashikuara me ligj dhe që janë të nevojshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë kombëtare, integritetit territorial ose sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit dhe parandalimin e krimit, për mbrojtjen e shëndetit ose të moralit, për mbrojtjen e dinjitetit ose të të drejtave të të tjerëve, për të ndaluar përhapjen e të dhënave konfidenciale ose për të garantuar autoritetin dhe paanshmërinë e pushtetit gjyqësor.

NENI 14

Ndalimi i diskriminimit

Gëzimi i të drejtave dhe i lirive të përcaktuara në këtë Konventë duhet të sigurohet, pa asnjë dallim të bazuar në shkaqe të tilla si seksi, raca, ngjyra, gjuha, feja, mendimet politike ose çdo mendim tjetër, origjina kombëtare ose shoqërore, përkatësia në një minoritet kombëtar, pasuria, lindja ose çdo status tjetër.

DEKLARATA UNIVERSALE PËR TË DREJTAT E NJERIUT (10.12.1948)

Neni 29.

  1. Secili ka detyrime ndaj bashkësisё ku vetёm aty i mundёsohet zhvillimi i lirë dhe i plotë i personalitetit të tij.
  2. Në ushtrimin e tё drejtave dhe lirive të veta, secili do t’u nënshtrohet vetëm atyre kufizimeve të cilat janë pёrcaktuar me ligj, vetёm me qëllim të sigurimit tё njohjes dhe tё respektimit tё domosdoshёm tё tё drejtave dhe lirive të të tjerëve dhe të plotësimit tё kërkesave tё drejta të moralit, tё rendit publik dhe tё mirëqenies së përgjithshme në njё shoqëri demokratike.

Këto tri nene skicojnë edhe konfliktin që ekziston ndërmjet lirive individuale dhe nevojës për të siguruar barazinë e trajtimit të tyre  përmes një kuadri ligjor që, njëherazi, i kufizon dhe i mbron këto të drejta. Nxënësit që mund të shpjegojnë këtë kanë mësuar shumë “rreth” demokracisë dhe të drejtave të njeriut; kjo është përmasa njohëse e EQD/EDNJ.