1. Hyrje

Living Democracy » Textbooks » 1. Hyrje

Gjatë planifikimit të mësimit, mësuesi duhet të ketë të qartë paraprakisht karakteristikat e të mësuarit dhe të mjedisit në të cilin ai zhvillohet, në klasë ose ndërmjet nxënësve si individë. Për mësuesin është e rëndësishme që nxënësit të kuptohen me të gjitha ndryshimet që i karakterizojnë: larmia e aftësive dhe e shkathtësive, pikat e forta dhe të dobëta, besimet, qëndrimet dhe interesat.

Nga njëra anë, mësuesi duhet të qartësojë kushtet e të mësuarit në klasë nga pikëpamja e objektivave të mësimdhënies që ai ka në mëndje. Nga ana tjetër, gjatë përzgjedhjes së objektivave dhe temave, mësuesi duhet të bazohet në njohuritë e tij në lidhje me karakteristikat e nxënësve të veçantë dhe ato të klasës në tërësi.

Duke identifikuar kushtet e të mësuarit, mësuesi ka përmbushur pjesën e parë të qartësimeve  paraprake. Në planifikimin e tij të mëtejshëm, mësuesi  duhet të marrë parasysh  kushtet e përgjithshme në të cilat do të zhvillohet procesi i mësimdhënies. Së fundi, ai nuk duhet të harrojë aftësitë e tij të mësimdhënies; kjo shërben për të siguruar përdorimin e tyre të efektshëm dhe zhvillimin e mëtejshëm në mënyrë graduale, pa krijuar mbingarkesa në punën e tij të përditshme.

Në fillim të kësaj njësie, do të gjeni pyetjet kryesore, të shoqëruara nga fletët e punës, që ju mund t’i përdorni sa herë të keni nevojë.