1.1 Një lloj i ri qytetarie kërkon edhe një lloj të ri arsimi

Living Democracy » Textbooks » 1.1 Një lloj i ri qytetarie kërkon edhe një lloj të ri arsimi

Modelet e të mësuarit të orientuar nga të mësuarit përmendësh janë të pamjaftueshme për të krijuar qytetarin e përgjegjshëm, aktiv dhe të mirinformuar që kërkon demokracia moderne.

Ajo që kërkohet janë format e arsimit që përgatitin nxënës për përfshirjen aktuale në shoqëri, format e arsimit që janë sa praktike aq edhe teorike, të rrënjosura në çështjet e jetës reale, të cilat kanë ndikimin e tyre si te nxënësi ashtu edhe te komunitetet, dhe të mësuara përmes pjesëmarrjes në jetën e shkollës e përmes kurrikulës zyrtare.

Roli i qytetarit aktiv përputhet me atë të nxënësit aktiv. Koncepti i të mësuarit konstruktivist siguron mbështetje për nxënësit që përballen me probleme të reja për ta. Në shkollë, mësuesi mund të ketë gjetur një zgjidhje optimale, por më vonë, gjatë përballjes me sfidat e përmendura më sipër, brezi i ardhshëm do të veprojë si pionier.

Nevoja për të siguruar një mësimdhënie me në qendër nxënësit shoqërohet me sfida të mëdha për  profesionin e mësuesit. Kjo do të thotë që duhet të mësohen forma të reja njohurish, të zhvillohen metoda të reja të mësimdhënie, të gjenden mënyra ta reja të punës dhe krijohen forma të reja të marrëdhënieve profesionale, si me kolegët ashtu edhe me nxënësit. Kjo do të thotë që mësimdhënia të zhvendosë përparësinë, nga të kuptuarit e sistemeve historike, në të kuptuarit e çështjeve aktuale;krahas transmetimit të njohurive, të vërë theksin tek të menduarit kritik dhe te të mësuarit e aftësive, tek bashkëpunimi dhe bashkëveprimi më  shumë se te përgatitja e izoluar, tek autonomia profesionale, në vend të varësisë nga diktati qëndror. Ajo kërkon të  ndryshojmë mënyrën si ne perceptojmë tëmësuarit,  të zhvendosim përparësinë nga të mësuarit me në qendër mësuesin, tek të mësuarit përmes përvojës, pjesëmarrjes, kërkimit dhe shkëmbimit të ideve.

Didaktika e orientuar nga mësuesi, e sunduar nga teksti dhe e orientuar vetëm drejt njohurive duhet të zëvendësohet nga ajo që vë theksin tek përfshirja e nxënësit, tek larmia e teknikave të mësimdhënies dhe tek qasja e bazuar në aftësitë. Ky është kontributi që shpreson të sjellë kjo seri botimesh për EQD/EDNJ.