Mësimi 4: Identiteti: Stereotipat për mua!

Living Democracy » Textbooks » Mësimi 4: Identiteti: Stereotipat për mua!

Si e shoh unë veten – si më shohin të tjerët mua?

Objektivat e mësimnxënies Nxënësit kuptojnë se si ata perceptohen nga të tjerët dhe mësohen që këtë ta pranojnë.
Ata kuptojnë më mirë se si të tjerët i shohin dhe si reagojnë ndaj identitetit të tyre. Ata studiojnë efektin që identiteti i tyre ka tek të tjerët.
Detyrat e nxënësve Nxënësit përshkruajnë veten dhe njëri tjetrin dhe i krahasojnë rezultatet e tyre.
Burimet Materialet e nxënësve 1.2.
Metoda Punë në çifte.
Diskutime plenare.

Mësimi

Mësimdhënësi e fillon mësimin duke përmbledhur rezultatet e dy mësimeve të mëparshme dhe duke shpjeguar programin për mësimin e sotëm.

Më pas mësimdhënësi përkujton nxënësit se ata kishin filluar duke parë një individ (gjendjen personale të një djaloshi) dhe pastaj kishin vazhduar të studiojnë se si perceptohen grupet më të mëdha, siç janë njerëzit e profesioneve, grupet etnike dhe shtete të tëra. Ata tani sërish do të përqendrohen në individin, por këtë herë vetë nxënësit – të gjithë në klasë – do të jenë fokusi. Ata do të përqendrohen në pyetjen:

Kush jam unë?
Si do ta përshkruaja unë veten? Vetperceptimi
Si do të më përshkruante mua një nxënës i klasës? Perceptimi nga të tjerët

Mësimdhënësi e mbështet hyrjen që e bën për këtë mësim me vizatimin e kësaj tabele në dërrasën e zezë ose në tabelën shfletuese (flip chart). Ai ose ajo gjithashtu mund t’i pyes nxënësit të përsërisin atë çka kanë mësuar në dy mësimet e kaluara, për dallimin në mes të vetperceptimit dhe perceptimit nga të tjerët. Përveç kësaj, ose si një alternativë, ai mund të përsërisë konceptet kyçe të stereotipave dhe paragjykimeve.

Mësimdhënësi i merr prospektet e nxënësve duke treguar përshkrimet e nxënësve për Max-in. Kjo duhet t’ju ndihmojë nxënësve që të mendojnë për sa më shumë kualitete dhe karakteristika të njerëzve që të jetë e mundshme. Nxënësit kanë për detyrë që mundësisht të shënojnë sa më shumë mbiemra, të cilët mund të përdoren për të përshkruar një person. Për këtë çështje mësimdhënësi sigurisht se duhet tu jep disa ide dhe sugjerime. Për shembull, nxënësit mund të udhëzohen nga kategoritë që mbiemrave përshkrues u japin kuptim dhe qartësim. Kategoritë e tilla mund të përfshijnë si vijon:

Si do t’i përshkruanim njerëzit:

  • nëse janë me humor të mirë?
  • nëse janë pa humor apo janë edhe të inatosur?
  • nëse janë shokë të mirë?
  • nëse duam t’i përshkruajnë se si duken?
  • nëse duam t’i përshkruajnë si nxënës?

Në vend se t’i pyesim disa nga nxënësit që të japin disa ide në një situatë të mësimdhënies frontale, duhet të përfshihet e tërë klasa. Kjo mund të arrihet përmes ushtrimit vijues,5 ku nxënësit bëjnë punë individuale për të dhënë shumëllojshmëri të ideve. Në qoshe të klasës ose në tavolina të veçanta, do të duhej të varen ose të shpërndahen fletë të mëdha të letrës. Në këto fletë, fjalët apo kategoritë e ndryshme kyçe janë dhënë si tituj. Nxënësit lëvizin nëpër klasë në qetësi dhe i shënojnë idetë e tyre në postera (më së mirë me shënues (marker) të siguruar për çdo poster). Meqë ata mund të lexojnë se çka kanë shkruar të tjerët, nxënësit nuk duhet të përsërisin njëri tjetrin, por mund të përgjigjen duke dhënë komente apo ide të reja.

Rezultati i një ushtrimi të tillë mund të duket kështu:

Si duket një person kur është me humor të mirë?

  • i gëzueshëm
  • duke bërë shaka
  • i çlodhur (relaksuar)
  • komunikues
  • duke kënduar
  • magjepsës

Nuk ka nevojë për vazhdim në diskutimin plenar, meqenëse qëllimi i këtij ushtrimi është që nxënësve tu jep ide për të punuar në suaza të hapit që pason. Mësimdhënësi është dashur që të ketë parasysh se cilët nxënës mund të punojnë së bashku në çifte në këtë fazë. Kjo është e rëndësishme, sepse tema të cilën do ta trajtojnë nxënësit është delikate. Prandaj, mësimdhënësi duhet t’i shmanget vendosjes së bashku të nxënësve të cilët nuk e duan njëri tjetrin, dhe duhet të sigurohet që të mos lëndojë ndjenjat e askujt.

Ekipeve u caktohet detyra vijuese:

Tani ju do të shqyrtoni se si e perceptoni veten dhe njëri tjetrin. Këtë duhet ta bëni sipas mënyrës vijuese:

  • Së pari, punoni vetë.
  • Shikoni përshkrimet e shumta në posterat në klasë dhe zgjidhni fjalët që, sipas mendimit tuaj, ju përshkruajnë juve plotësisht. Shënoni ato në prospekte.
  • Shtoni cilësitë tuaja dhe përshkrimet për veten në situata të caktuara të cilat nuk i keni gjetur në postera. Shënoni ato në prospekte.
  • Pastaj përshkruani partnerin tuaj në të njëjtën mënyrë.
  • Kur ju të dy të keni përfunduar, komentoni bashkërisht rezultatet tuaja. Do të ishte interesante të shihni se cilat përshkrime dhe vlerësime përputhen dhe cilat ndryshojnë ose, madje, edhe kundërshtojnë njëra tjetrën. Shprehi mendimet dhe ndjenjat tua:
  • Çka më befason?
  • Çka më bën të lumtur?
  • Çka më zemëron?
  • Çka më lëndon?
  • A mund ta mbështetni vlerësimin tuaj me disa shembuj?
  • Cilat përshkrime janë stereotipa  (pozitive apo negative)?

Mësimdhënësi duhet të vendosë nëse do të mbajë një sesion përfundimtar me pyetje dhe udhëzime në fund të këtij mësimi (që gjithashtu është edhe fundi i kësaj njësie, edhe pse vazhdimet janë të mundshme) apo do të përmbledhë procesin e mësimnxënies për katër mësimet e fundit. Cilëndo metodë që ai ta zgjedhë, ai do ta vërej se atmosfera e punës në klasë është përmirësuar gjatë kësaj

njësie. Nxënësit do të kenë zhvilluar marrëdhënie më të afërta me njëri tjetrin dhe do të kenë bërë zbulime interesante të cilat do t’i ndajnë me njëri tjetrin. Ata tani mund të bëjnë dallimin në mes të:

  • stereotipave dhe paragjykimeve;
  • vetperceptimit dhe perceptimit nga të tjerët.

Ata kanë përparuar në zhvillimin e aftësive të tyre shoqërore, nga të cilat do të përfitojnë në jetën e tyre të përditshme, në klasë por edhe në edukimin e tyre në tërësi. Nxënësit shpesh do të hasin në këto tema që janë paraqitur në këto katër mësime, duke bashkuar kështu atë çka ata e kanë mësuar.

5. Ushtrimi i sugjeruar këtu është një variant i “The Wall of Silence” (shih EQD/EDNJ Vëllimi VI, Developing New Ideas in  EDC/HRE)..