Mësimi 1: Gazetat përreth nesh

Living Democracy » Textbooks » Mësimi 1: Gazetat përreth nesh

Kë e informojnë. Si na informojnë. Çka na kumtojnë ata.

Objektivi i mësimnxënies Nxënësve u paraqitet një shumëllojshmëri e mediave të shkruara. Ata e kuptojnë dallimin në strukturën e përmbajtjes.
Detyrat e nxënësit Nxënësit mbledhin dhe analizojnë gazeta dhe revista të cilat zakonisht lexohen në komunitetet e tyre. Ata bëjnë një poster për të shënuar rezultatet e tyre.
Burimet Gazeta, gërshërë, ngjitës, fletë të mëdha të letrës. .
Metoda Punë në grupe.

Të  mësuarit  konceptual

Shprehja “media të shkruara” u referohet burimeve të shkruara të informacionit – të ashtuquajtura media klasike – duke përfshirë gazetat, revistat, librat, katalogët, reklamat, prospektet e reklamave, hartat, diagramet, kartolinat, kalendarët dhe afishet.

Mediat e shkruara zakonisht janë të shtypura në letër. Teknologjitë e shtypjes janë duke pësuar ndryshime rapide, dhe shtypja digjitale po bëhet gjithnjë e më e zakonshme.

Mësimi

Disa javë përpara se të fillojë ky mësim, mësimdhënësi kërkon që nxënësit të grumbullojnë të gjitha gazetat dhe revistat që u bien në dorë dhe ato t’i sjellin në shkollë. Për të mbështetur nxënësit në punën e tyre, rekomandohet që një tavolinë të lihet në një anë të klasës ku mund të përdoret për prezentime. Nëse ka fat, një nxënës mund të gjejë ndonjë mbajtëse të vjetër të gazetave nga gazetashitësi, që është një mënyrë ideale për paraqitjen e gazetave dhe revistave. Mësimdhënësi duhet të sigurojë përfshirjen e të gjitha gazetave kryesore ditore.

Mësimdhënësi e fillon mësimin e parë duke i informuar nxënësit për objektivat dhe detyrat e kësaj njësie. Mësimdhënësi duhet të theksojë se kjo njësi është fillimi i një projekti i cili mund dhe duhet të vazhdohet për së paku një gjysmë viti shkollor. Nxënësit gjithashtu duhet të kuptojnë se ky projekt atyre u ofron mundësinë që të fitojnë përvojë praktike të gazetarisë. Përvoja ka treguar se gazetarët shpesh kanë ndërmarrë hapat e para në projekte të këtij lloji.

Nxënësit formojnë grupe të vogla, më së mirë me tre apo maksimumi me katër vetë. Çdo grup duhet të analizojë një gazetë apo revistë të ndryshme. Në punën e tyre nxënësit drejtohen nga pyetjet vijuese:

  • Cilat rubrika janë të përfshira në gazetë apo në revistë?
  • Cila është renditja e rubrikave?
  • Cilave grupe u drejtohen këto rubrika? Cilët anëtarë të familjes veçanërisht janë të interesuar për leximin e një rubrike të caktuar?
  • Cilat tema janë mbuluar në rubrikat e çështjes që është duke e analizuar grupi?
  • Zgjidhni nga një artikull karakteristik nga çdo rubrikë. Pritni këto artikuj dhe ngjitni në një fletë të letrës për të bërë një poster.

Në poster duhet shënuar emrin e gazetës ose të revistës, më së mirë me titullin origjinal, dhe duhet t’ju përgjigjeni pyetjeve të lartshënuara. Nxënësit duhet përkujtuar për rëndësinë e një faqosje të qartë dhe të sistemuar.

Në këtë fazë, për nxënësit është me rëndësi të kenë kuptuar strukturën themelore të gazetës së tyre, që do t’ju mundësonte ta paraqesin dhe ta shpjegojnë qartë në klasë.

Grupet përgatisin prezentimet për mësimin e ardhshëm, thuajse e reklamojnë gazetën apo revistën e tyre, duke theksuar të gjitha përparësitë dhe anët e saj të forta. Pasi t’i kenë dëgjuar të gjitha prezentimet, klasa duhet të vendosë se cilën gazetë e konsiderojnë të jetë më interesante dhe më informuese. Qëllimi i këtij hapi është që të fitohet shpërndarje falas e kësaj gazete për disa javë, një shërbim të cilin shumë botues të gazetave janë të gatshëm t’ua ofrojnë shkollave.

Në këtë fazë, mësimdhënësi ka rol këshillëdhënës. Ai i ndihmon grupet në studimin e strukturës së brendshme të gazetës, meqë nuk janë të gjitha gazetat njëlloj të lehta për t’u analizuar. Mësimdhënësi gjithashtu duhet të vëzhgojë nxënësit gjatë punës së tyre në grupe për të siguruar se çdo grup është në gjendje të bëjë një prezentim të mirë dhe të përfundojë punën deri në fund të mësimit. Përpjekja për të qenë shumë të përsosur do të prishë planifikimin e kohës për këtë aktivitet.