Mësimi 2: Pse njerëzit nuk pajtohen?

Living Democracy » Textbooks » Mësimi 2: Pse njerëzit nuk pajtohen?

Në çka bazohen dallimet?

 

Objektivat e mësimnxënies Nxënësit janë në gjendje të marrin parasysh arsyet pse njerëzit kanë opinione të ndryshme për çështje të rëndësishme.
Nxënësit mund të diskutojnë për çështje të kontestueshme.
Nxënësit mund të diskutojnë se cilat vlera janë të domosdoshme për të mbështetur shoqëritë demokratike.
Detyrat e nxënësve Nxënësit bëjnë paraqitje të opinioneve të tyre për një sërë çështjesh dhe këto opinione ato i mbrojnë.
Nxënësit analizojnë burimet e mosmarrëveshjeve për çështjet e kontestuara në mënyrë publike.
Nxënësit marrin parasysh ndikimet në vetë vlerat e tyre.
Nxënësit paraqesin parime për të inkurajuar respektimin për pluralizmin, dhe për të siguruar mbështetjen e cilësisë së respektit dhe dialogut për çështjet publike.
Burimet Etiketa të mëdha për ushtrimin “katër këndet”.
Metodat Diskutim.
Reflektim.
Të menduarit kritik.
Përpilimi i rregullave me bashkëpunim.

 

Koncepti kyç

Pluralizmi: Pluralizmi ekziston në shoqëritë të cilat nuk kanë një grup zyrtar të interesave, të vlerave ose besimeve. Qytetarët kanë të drejtë në lirinë e ndërgjegjes, religjionit dhe shprehjes. Përjashtimi është se pikëpamjet të cilat kërcënojnë lirinë e besimit të njerëzve të tjerë janë kundër ligjit dhe nuk tolerohen. Një shtet në të cilin lejohet vetëm një religjion apo nuk tolerohet asnjë nuk do të ishte pluralist.

Mësimi

Mësimdhënësi kërkon që klasa të shqyrtojë formulimet e diskutueshme vijuese një nga një:

Pajtohesh apo nuk pajtohesh?

  • Ngrënia e kafshëve është e padrejtë.
  • Nëse një nxënës është HIV pozitiv, ai nuk duhet të jetë në të njëjtën klasë me fëmijët e shëndetshëm.
  • Pacifistët nuk duhet detyruar që t’ju bashkohen forcave të armatosura.
  • Dënimi me vdekje duhet të ndalohet.
  • Vendi i gruas është në shtëpi.
  • Fëmijëve nën moshën 14 vjeçare nuk duhet t’ju lejohet të punojnë.
  • Pirja e duhanit duhet ndaluar në objektet publike.
  • Njerëzit duhet të paguajnë më shumë taksa.
  • Liria e fjalës nuk është gjë e mirë.

Çdo kënd i klasës është i shënuar me sa vijon:

Pajtohem plotësisht
Pajtohem
Nuk pajtohem
Nuk pajtohem fare

Mësimdhënësi lexon çdo formulim sipas renditjes dhe kërkon që nxënësit të shkojnë në këndin e duhur të klasës, sipas opinioneve të tyre për pyetjet e lartshënuara. Nëse ata nuk mund të vendosin, duhet të qëndrojnë aty ku janë.

Kur nxënësit t’i kenë marrë pozicionet e tyre, mësimdhënësi e pyet ndonjërin nga të katër këndet të tregojë pse ata e kanë zgjedhur atë pozicion. Në këtë fazë nuk duhet të lejohet asnjë diskutim. Pastaj mësimdhënësi kërkon që, nxënësit të cilët e kanë ndryshuar mendimin, të zhvendosen në një kënd tjetër, sipas situatës.

Në vijim, mësimdhënësi kërkon që nxënësit, të cilët nuk janë përcaktuar, të përpiqen të shpjegojnë pse ata nuk mund të vendosin. Ata duhet të shënojnë arsyet që i kanë dhënë për mospërcaktimin e tyre (për shembull, atyre mund t’ju nevojiten më shumë informacione, nuk u është i qartë kuptimi i tyre, shohin argumente në të dyja anët, etj.)

Ky ushtrim përsëritet tri apo katër herë me formulime të ndryshme. Në secilën rrethanë, mësimdhënësi nuk duhet të interesohet aq shumë për debatimin e çështjes së caktuar, por për nxjerrjen e arsyeve pse njerëzit kanë pikëpamje të ndryshme.

Në sesion plenar, mësimdhënësi thekson se çështjet e njëjta kanë shkaktuar përgjigje shumë të ndryshme nga nxënësit e klasës. Ai pastaj mund të paraqesë konceptin e pluralizmit dhe klasës t’i parashtrojë pyetjet vijuese, duke ju shpjeguar se këto pyetje mund t’ju ndihmojnë të kuptojnë arsyet pse ekziston pluralizmi në shoqëritë:

  • Mendoni edhe njëherë për pyetjet që i shqyrtuam. Cilat prej tyre provokojnë ndjenja më të fuqishme? Pse ndodh kjo?
  • Nga kush i marrim idetë, vlerat dhe besimet tona? (Kjo i ndihmon nxënësit që të shohin se idetë tona mbi çështjet e diskutueshme mund të vijnë nga burime të ndryshme.)

Në vijim mësimdhënësi i pyet nxënësit se, në çmasë ata mendojnë se janë të ndikuar nga të mëposhtmet:

  • idetë e prindërve të tyre;
  • atë çka mendojnë shokët e tyre;
  • religjioni apo kultura e tyre;
  • mediat, p.sh. gazetat, TV-ja, Interneti;
  • mësimdhënësit;
  • personaliteti i tyre

Pastaj nxënësit punojnë individualisht dhe i radhisin çështjet sipas rëndësisë në formë të piramidës, me çështjen më të rëndësishme në krye, si më poshtë:

çështja

çështja çështja

çështja çështja  çështja

Mësimdhënësi kërkon që nxënësit të krahasojnë piramidat e tyre në çifte. Cilët faktorë klasa, si tërësi, mendon se janë më të rëndësishëm? Kjo mund të gjendet duke vlerësuar çështjet si vijon: çështjet në rreshtin e lartë i vlerësoni me gjashtë pikë, çështjet në rreshtin e mesëm me katër pikë dhe çështjet në rreshtin e poshtëm secila nga dy pikë. Në grupe me nga katër, nxënësit mbledhin pikat e dhëna për secilën çështje. Krahasoni të gjeturat për çdo grup. A ishin faktorët e njëjtë në krye të listës nga rëndësia?

Mësimdhënësi u shpjegon se pluralizmi zhvillohet në një shoqëri të lirë dhe të hapur. Mirëpo, asnjë shoqëri nuk mund të funksionojë pa një nivel minimal të pajtimit të përbashkët në mes të pjesëtarëve të saj. Ai kërkon që nxënësit të shënojnë disa vlera apo rregulla të cilat ata mendojnë se do të ndihmojnë në kapërcimin e vlerave apo interesave mospajtuese. P.sh. nxënësit mund të sugjerojnë si vijon:

  • Respektoni opinionet e njerëzve të tjerë.
  • Përpiquni të vëni veten në “vendin e të tjerëve”.
  • Mos harroni se të flasësh është më mirë se të grindesh.
  • Mundohuni që të mos ofendoni.
  • Jepu njerëzve mundësi të thonë mendimin e tyre.

Nëse njerëzit nuk mund të pajtohen, mund të na nevojitet një mekanizëm, siç është votimi, për të marrë një vendim.