Mësimi 4: Evropianët janë të ndryshëm dhe të barabartë

Living Democracy » Textbooks » Mësimi 4: Evropianët janë të ndryshëm dhe të barabartë

Ajo që kemi dhe nuk kemi të përbashkët

Objektivat e mësimit

Nxënësit kuptojnë se Evropa ka një shumëllojshmëri karakteristikash.

Ata thellohen në faktin se evropianët kanë disa gjëra të përbashkëta, por janë edhe shumë të ndryshëm nga njëri-tjetri.

Detyrat e nxënësve Nxënësit shikojnë një foto të hartës fizike. Mësuesi angazhohet në një diskutim në lidhje me ngjashmëritë dhe dallimet në: a) një kontekst gjeografik dhe, b) një kontekst social.
Nxënësit diskutojnë rreth dallimeve sociale në Evropë dhe përpiqen të gjejnë zgjidhje për dialogun dhe mirëkuptimin e ndërsjellë.
Burimet Foto e hartës fizike, pamje të vendit, dërrasë e zezë, tabelë, letra ngjitëse.
Metodat Diskutim i përbashkët, punë në grup.

Përshkrimi i mësimit

Nxënësit formojnë një rreth. Mësuesi paraqet fotot e hartës fizike. Detyra e nxënësve është  të shohin fotot dhe të mendojnë për ngjashmëritë e dallimet në hartë.
Ata duhet t’i përgjigjen  pyetjeve të tilla si:

  • Cilat pjesë të Evropës kanë male të larta?
  • Ku janë lumenjtë më të gjatë?
  • Cilat vende kanë pllaja e fusha të ngjashme?
  • Në cilat vende njerëzit flasin të njëjtën gjuhë?
  • Cilat vende ndajnë një det?

Nxënësit përdorin pamjet e vendit për të marrë informacion. Ata paraqesin vendin që “përfaqësojnë” në formën e një prezantimi ose në formën e një shfaqjeje..

Si hap të dytë, mësuesi paraqet një seri pyetjesh të tjera për të filluar një diskutim të ri. Përveç
ngjashmërive e ndryshimeve natyrore dhe gjeografike, vihen në dukje edhe ndryshime të tjera në Evropë, të tilla si dallimet sociale ose dukuri të tilla si paragjykimi. Mësuesi i motivon nxënësit për të shprehur mendimet e tyre rreth dallimeve sociale në Evropë, duke shtruar pyetje të tilla si:

  • A ka vende të pasura dhe të varfra në Evropë? Cilat janë të pasura? Cilat janë të varfra?
  • A është jeta më e vështirë në disa vende të Evropës se sa në të tjerat? Pse?
  • Pse shumë njerëz e lënë vendin e tyre për të jetuar diku tjetër? Cilat janë arsyet?

Pasi ka grumbulluar mendimet e nxënësve në lidhje me këto ngjashmëri dhe me ndryshimet jo-gjeografike, nxënësit duhet të ulen së bashku në grupe me nga katër vetë dhe të dalin me ide si të kuptojmë më mirë dallimet sociale në Evropë, pa mohuar identitetet kombëtare, duke nxitur madje edhe dialogun ndërkulturor. Nxënësit shkruajnë idetë e tyre në letra të vogla ngjitëse dhe i paraqesin ato para klasës. Pastaj ngjisin letrat pranë fotove të hartës fizike (kjo ndihmon edhe anën pamore).