Mësimi 4: Rregullat e dëshmisë

Living Democracy » Textbooks » Mësimi 4: Rregullat e dëshmisë

Cilat dëshmi duhet të merren parasysh në gjykatë?

Objektivi i mësimnxënies Të kuptohen rregullat e dëshmisë në gjykatë.
Detyrat e nxënësve Të shqyrtojnë llojin e dëshmive të cilat duhet të merren parasysh në gjykatë dhe lloji i dëshmive të cilat do të ishte gabim të shfrytëzohen.
Burimet Skeda për diskutim (prospektet e nxënësve 8.2) për
çdo grup me nga 4-6 nxënës.
Metoda Punë në grupe të vogla dhe diskutim në klasë.

Kuti informacioni

Njëri prej elementeve kyçe në çdo sistem të drejtësisë penale është një grup i rregullave, të cilat përcaktojnë se cilat lloje të dëshmisë duhet dhe cilat nuk duhet të shfrytëzohen në gjykatë, në mënyrë që gjykimi të jetë i drejtë. Për shembull, është e drejtë që të përdoret dëshmia “dëgjo dhe thuaj” (d.m.th., dëshmi që nuk është përjetuar drejtpërdrejt nga dëshmitari, por që atyre  u raportohet nga dikush tjetër), dëshmi e marrë si rezultat i torturës ose kërcënimit me dhunë, ose dëshmi e marrë përmes “pyetjeve sugjestive/tendencioze”, që do të thotë, pyetje që u ngjisin fjalë dëshmitarëve?

Mësimi

Mësimdhënësi e fillon mësimin duke i paraqitur dispozitat vijuese nga KEDNJ (1950), edhe gojarisht edhe në formë të shkruar në dërrasën e zezë apo në tabelën shfletuese (flip chart):

“Çdokush i akuzuar për vepër penale prezumohet (konsiderohet) i pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tij sipas ligjit.”

Konventa Evropiane mbi të Drejtat e Njeriut (1950), neni 6, nr. 2

Mësimdhënësi fton nxënësit që ta shpjegojnë këtë dispozitë. Mësimdhënësi mund të shtojë kategorinë e prezumimit (konsiderimit) fillestar të pafajësisë. Nxënësit duhet ta kuptojnë rëndësinë e këtij parimi për një gjykim të drejtë, dhe duhet të mësojnë se personi i akuzuar mund të dënohet vetëm nëse sigurohen dëshmi të mjaftueshme për të vërtetuar fajësinë e tij. Në këtë mësim, nxënësit do të shikojnë rregullat e dëshmisë në gjykatë.

Nxënësit duhet të formojnë grupe me nga 4-6 vetë.

Në vijim mësimdhënësi u tregon grupeve për një proces gjyqësor, i cili është duke u zhvilluar. Ka të bëjë me një të ri të quajtur Manuel, i cili akuzohet për vjedhjen e një veture që i përket z. Kay. Vetura u zhduk jashtë shtëpisë së z. Kay vonë një mbrëmje, dhe u gjet e lënë jashtë fshatit të nesërmen në mëngjes. Ishte lagur me benzinë dhe ia kishin vënë zjarrin. Manuel ishte arrestuar nga policia kah fundi i javës, dhe akuzohej për vjedhje dhe dëm penal.

Në vazhdim mësimdhënësi secilit grupi i jep një seri skedash për diskutim. Çdo skedë përfshin një dëshmi që prokuroria e përdor në gjykatë për t’u përpjekur të vërtetojë se Manuel është fajtor.

Mësimdhënësi nga grupet kërkon që të:

  • rendisin pjesët e dëshmisë – nga ato më bindëse tek ato të rrëzueshme;
  • vendosin nëse pjesë të dëshmive duhet të përjashtohen në tërësi sepse ato janë qoftë irelevante apo të padrejta.

Mendimet e tyre grupet ia paraqesin pjesës tjetër të klasës dhe përpiqen të arrijnë marrëveshje për ato pjesë të dëshmive të cilat duhet të pranohen dhe ato të cilat duhet të përjashtohen në tërësi.

Mësimdhënësi kërkon që nxënësit të kthehen në grupet e tyre dhe të mendojnë:

  • Cilat pyetje do të dëshironit ju që gjykata t`ua parashtrojë këtyre dëshmitarëve apo Manuelit tani? Pse?
  • A ka ndonjë lloj të pyetjeve që do të ishte e padrejtë gjykata t`ua parashtrojë atyre? Nëse po, cilat janë ato dhe pse?

Grupet paraqesin mendimet e tyre dhe klasa, duke punuar bashkërisht, përpiqet të përpilojë lista me llojet e dëshmive dhe llojet e pyetjeve, të cilat ata mendojnë se do të ishte gabim të përdoren në gjykatë.

Nëse premton koha, ky mësim mund të shpie në një detyrë kërkimore. Për detyrë shtëpie, nga nxënësit kërkohet që ata të studiojnë rregullat e dëshmisë të cilat zbatohen në proceset gjyqësore penale në vendin e tyre, dhe konstatimet e tyre t’ua paraqesin klasës në mësimin pasues.