Mësimi 3: Ju e hartoni ligjin

Living Democracy » Textbooks » Mësimi 3: Ju e hartoni ligjin

Si i trajtoni kundërvajtësit e mitur?

Objektivi i mësimnxënies Të shqyrtohet çështja nëse të miturit të cilët e kanë shkelur ligjin duhet të dënohen apo jo, dhe nëse po, si.
Detyrat e nxënësve Të shqyrtohen parimet e ndryshme – ndëshkimi, zhbindja, rehabilitimi – të cilat merren parasysh kur vendoset se çka është dënim i drejtë për një
krim që është kryer nga një i mitur.
Burimet Një kopje e tregimit dhe informacione shtesë për mësimdhënësin.
Metoda Punë në grupe të vogla dhe diskutim me tërë klasën.

Të mësuarit konceptual: tri parime themelore për qëllimin e dënimit

Derisa mësimi 2 u përqendrua në të drejtën civile, në këtë mësim do të trajtojmë të drejtën penale, duke u përqendruar në çështjen nëse duhet dënuar kundërvajtësit e mitur apo jo, dhe nëse po, si t’i dënojmë ata. Pyetja kryesore në teorinë e dënimit është “pse duhet dënuar”? Në këtë pyetje janë dhënë përgjigje në mënyra të ndryshme gjatë historisë dhe ka ndryshime në të menduarit shkencor dhe filozofik. Janë shfaqur tri parime lidhur me qëllimin e dënimit.

  1. Ndëshkimi. Dënimi është i lidhur me fajin dhe përgjegjësinë. Krimineli meriton të dënohet, dhe shoqëria e shpreh kundërshtimin për krimin. Ky koncept gjithashtu siguron standardin e proporcionit, duke e mbrojtur në këtë mënyrë kriminelin nga dënimi tepër i ashpër. Qëllimi është që të kthehet drejtësia.
  2. Zhbindja. Dënimi u dërgon një porosi kriminelëve të mundshëm në shoqëri, duke i shkurajuar ata që t’i kthehen krimit, meqë “dhimbja” e dënimit peshon më shumë se përfitimit. Qëllimi është të parandalohet krimi nga të tjerët.
  3. Rehabilitimi. Krimi perceptohet si thirrje për ndihmë. Krimineli ka nevojë për trajtim dhe jo  për dënim, dhe qëllimi është që atij t’i ndihmojmë të mos kryej krime të tjera në të ardhmen duke e integruar atë në shoqëri.

Sistemet penale në mbarë botën ndryshojnë shumë në mënyrën se si i balancojnë këto tri parime, edhe për kundërvajtësit e rritur edhe për të miturit. Në përgjithësi, shumë shtete i kanë dhënë prioritet rehabilitimit mbi parimet e ndëshkimit dhe të zhbindjes. Por jo të gjitha shtetet shkojnë në këtë drejtim. Me çështjen e rehabilitimit është e lidhur ngushtë edhe çështja se ku duhet vënë kufirin në mes të keqbërësve të mitur dhe të rritur. Këshilli i Evropës ka kërkuar që kufiri i moshës të jetë 18 vjeç, dhe i është referuar Konventës mbi të Drejtat e Fëmijëve të vitit 1989 për ta arsyetuar këtë (shih materialet e prapaskenës vetëm për mësimdhënës).

Ky mësim paraqet tri konceptet kyçe të dënimit të theksuara më lart. Të potencojmë edhe njëherë se këtu zbatohet qasja induktive. Nxënësit merren me studimin e një rasti për një keqbërës të mitur dhe i nxjerrin parimet e ndryshme të dënimit, implikimet e tyre dhe nevojën për balancim. Mësimdhënësi mund të përvijojë konceptet në një ligjëratë të shkurtër gjatë apo pas diskutimit në klasë.

Ky mësim mund t’ia hap derën një projekti pasues për të cilin do të nevojiteshin përafërsisht edhe dy mësime të tjera. Nxënësit mund të përdorin konceptet që i kanë mësuar në këtë mësim për të përshkruar balancimin që është bërë me legjislacionin penal për keqbërësit e mitur në vendin e tyre.

Mësimi

Mësimdhënësi e fillon mësimin duke i ndarë nxënësit në grupe me nga 4-6 nxënës. Mësimdhënësi u shpjegon se sundimi i së drejtës përfshin parimin që, gjyqtarët t’i përmbahen ligjit kur kriminelit apo keqbërësit i shqiptojnë dënimin. Në këtë mësim, nxënësit do të shohin mënyrën se si duhet të hartohen ligjet e tilla kur kemi të bëjmë me keqbërësit e mitur. Ata do të dëgjojnë një tregim për një krim dhe çdo grup duhet të supozojë se janë deputet të parlamentit, të cilët duhet të miratojnë ligjin i cili parasheh dënimin që duhet t’i shqiptohet kriminelit.

Mësimdhënësi u parqet nxënësve tregimin themelor dhe u jep mundësinë që ata si grup të vendosin çka mendojnë se do të ishte dënim i drejtë për Tomin. Grupet i paraqesin mendimet e tyre para klasës si tërësi.

Pastaj mësimdhënësi grupeve u jep edhe disa informacione shtesë. Pas çdo informacioni të  ri, grupeve u jepet mundësia të ndryshojnë mendimin e tyre për dënimin të cilin fillimisht e kishin planifikuar.

Në fund të këtij aktiviteti, mësimdhënësi kërkon që çdo grup ta paraqet mendimin e tyre para klasës:

  • Cilin dënim mendoni se duhet shqiptuar Y-it? Pse?
  • A ju bëri ndonjëri nga informacionet shtesë që ta ndryshoni vendimin fillestar? Nëse po, si?

Pastaj mësimdhënësi i afron të gjithë nxënësit së bashku në një sesion plenar dhe i pyet:

  • Çfarë faktorësh duhet të merr parasysh ligji kur vendoset mbi dënimin që duhet shqiptuar personit që është dënuar për shkelje?
  • A mendoni se ligji duhet t’i trajtojë të miturit ndryshe nga të rriturit? Pse po ose pse jo?

Si ushtrim i fundit ose detyrë shtëpie, mësimdhënësi kërkon që nxënësit të mendojnë për një rast për të cilin ata kanë dëgjuar –në TV, në gazeta apo ndonjë rast që ka ndodhur në rajonin e tyre – ku një të mituri, i cili e ka shkelur ligjin, i është shqiptuar dënim të cilin ata mendojnë se është qoftë:

a) shumë i ashpër ose

b) shumë i butë.

Nxënësit duhet të shkruajnë një fragment të shkurtër për shembullin e tyre të zgjedhur dhe këtë t’ua paraqesin shokëve në mësimin pasues, duke theksuar faktorët në rastin përkatës që shpien në mendimin e tyre për atë. Një shembull do të ishte një rast ku do të përfshihej një person i cili ka pasur aksident automobilistik nën ndikimin e alkoolit.

Ju e hartoni ligjin

“Leonardi dhe Tomi që të dy ishin 15 vjeç dhe vijonin mësimin në shkollën e njëjtë. Ata e kishin njohur njëri tjetrin për shumë vite, por ata, në të vërtetë, asnjëherë nuk ishin shoqëruar.

Një ditë, telefoni celular i Tomit u raportua i humbur dhe ai e fajësoi Leonardin për vjedhjen e tij. Leonardi tha se nuk e kishte vjedhur atë, por tha se Tomi e xhelozonte pse ai kishte shumë shokë kurse Tomi nuk kishte asnjë.

Pas shkollës atë ditë, pati një zënkë. Tomi nxori një thikë edhe pse Leonardi ishte i paarmatosur. Gjatë zënkës, Tomi ia preu faqen Leonardit aq keq, sa që atë e la me  vragë në faqe për tërë jetën.”

Detyra

Çka mendoni se do të ishte dënim i drejtë për Tomin? Diskutoni këtë pyetje në grupin tuaj dhe pastaj shkruani se çfarë dënimi duhet të parasheh ligji për këtë lloj të shkeljes.

Informacione shtesë

  1. Tomi ishte rritur në mënyrë shumë të rreptë, dhe vazhdimisht ishte rrahur nga babai i tij.
    A ndikon kjo në mendimin tuaj për dënimin e Tomit? Nëse po, si? Ndryshoni draftligjin tuaj po të jetë e nevojshme.
  2. Tomi ishte i izoluar në klasën e tij dhe nuk kishte askënd që atij do t’ia dëgjonte problemet.
    A ndikon kjo në mendimin tuaj për dënimin e Tomit? Nëse po, si? Ndryshoni draftligjin tuaj po të jetë e nevojshme.
  3. Leonardi vërtetë e kishte vjedhur telefonin celular të Tomit dhe ai e kishte filluar zënkën, sepse Tomi kishte raportuar vjedhjen e telefonit celular në polici.
    A ndikon kjo në mendimin tuaj për dënimin e Tomit? Nëse po, si? Ndryshoni draftligjin tuaj po të jetë e nevojshme.
  4. Leonardi ishte udhëheqës i një bande që i kishte rënë në qafë Tomit me muaj të tërë. Banda e kishte rrahur Tomin më shumë se një herë, duke e goditur atë me shkopinj, me zinxhir dhe me shufër të metalit. Kjo i shkaktoi Tomit ankthe dhe ai madje frikohej të shkonte në shkollë.
    A ndikon kjo në mendimin tuaj për dënimin e Tomit? Nëse po, si? Ndryshoni draftligjin tuaj po të jetë e nevojshme.
  5. Babai i Tomit e kishte torturuar Tomin duke i thënë vazhdimisht se ai ishte shumë i butë dhe se duhej të ngrihej kundër ngacmuesve sikurse Leonardi..
    A ndikon kjo në mendimin tuaj për dënimin e Tomit? Nëse po, si? Ndryshoni draftligjin tuaj po të jetë e nevojshme.
  6. Tomi e nxori thikën vetëm për t’i frikuar ngacmuesit. Ai asnjëherë nuk kishte menduar se do ta përdorte atë. Në atë kohë, rreth njëzet të rinj po qëndronin përreth, të gjithë duke  i inkurajuar djemtë që të përleshen.
    A ndikon kjo në mendimin tuaj për dënimin e Tomit? Nëse po, si? Ndryshoni draftligjin tuaj po të jetë e nevojshme.
  7. Një mësimdhënës e kishte parë Tomin të sjellë thikën në shkollë dy ditë para zënkës, por ai nuk e kishte pyetur Tomin për të.
    A ndikon kjo në mendimin tuaj për dënimin e Tomit? Nëse po, si? Ndryshoni draftligjin tuaj po të jetë e nevojshme.

Nxënësit caktojnë përfaqësues për grupet e tyre, të cilët në vazhdim i paraqesin draftligjet e tyre para klasës. Mund të pritet që të gjithë të jenë të vetëdijshëm për dilemat që përfshijnë qëllimet dhe parimet e drejtësisë që janë në konflikt siç janë të mëposhtmet.

  • Si e dëshmojmë se shoqëria e kundërshton sjelljen e tillë?
  • Si mund të sigurojmë se shkolla është vend ku është e ndaluar dhuna?
  • Sa ashpër duhet dënuar dikë siç është Tomi, për të dekurajuar të tjerët që të mos përdorin thika, siç është banda e Leonardit?
  • Sjellja e Tomit është thirrje për ndihmë dhe ai nuk mund ta zgjidhte familjen në të cilën u rrit. Si mund ta ndihmojmë Tomin ashtu që ai të ndihet më i lumtur dhe të mos ketë nevojë të luftojë me thika në të ardhmen?

Mësimdhënësi mund ta përmbledhë diskutimin duke i lidhur këto tri pyetje me tri parimet – atë të ndëshkimit, zhbindjes dhe rehabilitimit. Duke iu referuar Konventës mbi të Drejtat e Fëmijëve, mësimdhënësi mund të propozojë që prioritet t’i jepet rehabilitimit.

Nëse premton koha dhe nxënësit janë të interesuar, kjo çështje mund të elaborohet më tutje. Nëse ata nuk pajtohen për çështjen se si të balancojnë parimet e ndryshme të dënimit, ky debat duhet të vazhdojë. Nëse ata pajtohen për parimin e rehabilitimit, ata mund të mësojnë se si ligji në vendin e tyre merr parasysh tri parimet – atë të ndëshkimit, zhbindjes dhe rehabilitimit.