2. Të drejtat e fëmijëve dhe e drejta për arsimim7

Living Democracy » Textbooks » 2. Të drejtat e fëmijëve dhe e drejta për arsimim7

Të drejtat e fëmijëve mbrohen gjerësisht nga një numër i madh instrumentesh ndërkombëtarë dhe rajonalë, që përfshijnë të drejtat e njeriut, të drejtën humanitare dhe ligjin për refugjatët. Fëmijët përfitojnë nga të drejtat që përfshihen në traktatet e përgjithshme. Përveç kësaj, një numër dokumentesh të veçanta janë hartuar për të siguruar mbrojtje të veçantë për fëmijët me aftësi të kufizuar dhe për të siguruar zhvillimin e shëndetshëm dhe pjesëmarrjen aktive të rinjve në shoqëri.

Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut (“Konventa”) ka shumë nene për të mbrojtur të drejtat e fëmijëve, për shembull, Protokolli 1, neni 2, “e drejta për arsimim”. Megjithatë, si kuadër  i përgjithshëm për të drejtat e fëmijëve shërben “Konventa për të Drejtat e Fëmijës” e Kombeve të Bashkuara, e vitit 1989. Kjo konventë përbën dokumentin e parë të hartuar posaçërisht për të drejtat e fëmijëve dhe shënon një kthesë të rëndësishme në këndvështrimin e qasjes që bazohet në të drejtat, duke i bërë qeveritë ligjërisht përgjegjëse për dështimet në drejtim të përmbushjes së të drejtave të fëmijëve . Konventa për të drejtat e fëmijës krijon një vizion të ri për fëmijët, si bartës të së drejtave dhe të përgjegjësive, në përputhje me moshën e tyre. Kjo ndryshon nga ideja që i sheh ata si pronë e prindërve ose si përfitues të pambrojtur të lëmoshës.

Të drejtat e fëmijëve mbulojnë çdo aspekt të jetës së fëmijëve dhe adoleshentëve, të cilat mund të  kategorizohen  si më poshtë:

  • Të drejtat e mbijetesës: e drejta e jetës dhe e drejta për të plotësuar nevojat bazë (për shembull, e drejta për një standard të kënaqshëm jetese, strehë, ushqim, trajtim mjekësor).
  • Të drejtat për zhvillim: të drejtat qëaftësojnë fëmijët të zhvillojnë tërësisht potencialin e tyre (këtu përshihen: arsimimi, loja dhe argëtimi, veprimtaritë kulturore, shfrytëzimi i informacionit dhe liria e mendimit, ndërgjegjes dhe fesë).
  • Të drejtat e pjesëmarrjes: të drejtat që i mundësojnë fëmijët dhe adoleshentët të luajnë rolin e tyre në komunitet (për shembull, liria e shprehjes së opinionit, e drejta për të patur një zë në çështjet që lidhen me jetën e tyre, liria për t’u organizuar etj.)
  • Të drejtat e mbrojtjes: të drejtat që janë thelbësore për ruajtjen e fëmijëve dhe adoleshentëve nga të gjitha format e abuzimit, shpërfilljes dhe shfrytëzimit (për shembull, e drejta fëmijëve refugjatë për kujdes i veçantëdhe mbrojtja kundër përfshirjes së tyre në konfliktet e armatosura, si dhe të drejtat që lidhen me punën e fëmijëve, torturën dhe abuzimin me drogën).

Arsimimi vlerësohet si e drejtë e njeriut në vetvete dhe si mjet i domosdoshëm për realizimin e të drejtave të tjera.  Një sistem arsimor që bazohet në të drejta plotëson  më mirë misionin e tij për arsimim cilësor për të gjithë.

 Neni 26 i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut shpall se:

  • Çdo individ ka të drejtë për arsimim. Arsimi duhet të jetë i lirë, të paktën, arsimi fillor dhe ai bazë. Arsimi fillor duhet të jetë i detyruar. Arsimi teknik dhe profesional duhet të mundësohet në shkallë të gjerë dhe arsimi i lartë duhet të jetë njëlloj i mundshëm nga të gjithë, në bazë të  meritës.
  • Arsimi duhet t’i shërbejë zhvillimit të plotë të personalitetit njerëzor dhe rritjes së respektit për të drejtat e njeriut dhe liritë themelore. Ai duhe të zhvillojë mirëkuptimin, tolerancën dhe miqësinë ndërmjet të gjitha kombeve, racave dhe grupeve fetare dhe të çojë më tej veprimtaritë e Kombeve të Bashkuara për ruajtjen e paqes. 
  • Prindërit duhet të kenë përparësinë në të drejtën për të zgjedhur llojin e arsimimit për fëmijët e tyre.

Neni 28 i Konventës për të Drejtat e Fëmijës (KDF), si zgjerim i disa prej ideve të shprehura në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut (DUDNJ), e përcakton arsimin si një të drejtë, ndërsa neni 29 komenton  që arsimi duhet të ndihmojë fëmijën në zhvillimin e plotë të  “personalitetit, talenteve dhe aftësive të tij mendore e fizike”.8

KDF dhe DUDNJ pranojnëqë një ndër qëllimet e shkollimit është të zhvillojë respektin për të drejtat e njeriut dhe liritë themelore. Që të kuptohen dhe të zhvillohen më mirë, të drejtat e njeriut duhet të jetohen në marrëdhënie me të tjerët.  Kjo nënkupton jo  vetëm të mësuarit rreth të drejtave të njeriut, por edhe të jetuarit në to dhe përmes tyre. Shkollimi i bazuar në qasjen e të drejtave të njeriut përfshin mundësinë për të mësuar dhe për t’i ushtruar të drejtat e njeriut në klasë. Shkollat qëinteresohen për të drejtat e fëmijëve  e përqendrojnë punën e tyre  në dinjitetin njerëzor të fëmijëve.

E drejta për arsimim duhet të zbatohet dhe të gëzohet  nga të gjithë – pavarësisht nga aftësitë, racat, feja, gjinia, kombësia, parapëlqimet seksuale, klasa ose nga faktorë të tjerë dallues. Përveç kësaj, një arsim i tillë, si përcaktohet nga KDF, duhet të strukturohet në mënyrë që të respektojë të drejtat themelore të nxënësve.

Një parim i rëndësishëm e qëndror për të drejtat e njeriut dhe i qasjes me bazë të drejtat e njeriut  është ai i mosdiskriminimit.  Në fushën e shkollimit, pasojat janë të shumëfishta  dhe përfshijnë të drejtën e barabartë për arsimim dhe vëmendje të veçantë për grupet e pafavorizuara ose të margjinalizuara.

Nisma e UNESCO-s për një shkollë miqësore dhe qasja me bazë të drejtat e njeriut bazohet në zbatimin e KDF, dhe përmes arsimit. Aftësia për të zbatuar këtë qasje kërkon njohjen më të mirë të të drejtave të njeriut dhe të fëmijës, si dhe rëndësinë e saj për mendimin, planifikimin dhe vlerësimin në arsim. Ajo na detyron të shtrojmë pyetje  të tilla, si:

  • Kush nuk po arsimohet. Ku ndodhen ata  dhe cilat janë arsyet e përjashtimit?
  • Kush është përgjegjës për të mbrojtur, për të zhvilluar dhe për të përmbushur të drejtën për arsimim?
  • Çfarëështë e nevojshme të zhvillohet për të siguruar të drejtën për arsimim?
  • Kush duhet të veprojë dhe çfarë duhet të bëjë për të siguruar këtë të drejtë dhe si mund të ndihmojnë partneritetet në këtë proces?

 

Parimi  1. Shpreh lidhjet me të drejtat

Pyetjet për ne: A lidhen përpjekjet tona arsimore, në  mënyrë të veçantë, me të drejtat e njeriut? A përfshijnë këto përpjekje të gjitha të drejtat e njeriut? A lidhen realisht të drejtat e njeriut me nevojat dhe çështjet e komuniteteve tona? A mund të realizohet kjo lidhje? A jemi ne të gatshëm të shkojmë përtej “zonës  së rehatisë vetjake” dhe të lidhim punën tonë me vlerat e të drejtave të njeriut?

 

Parimi 2. Përgjësia

A ndodh që ne, si përfaqësues të qeverisë ose të punësuar nga shteti, të shohim veten si përgjegjës për të siguruar edukimin për të drejtat e njeriut?  Në ç’drejtim jemi përgjegjës? Në ç’mënyrë fëmijët dhe kujdestarët e tyre mund tëpërmbushin një përgjegjësi të tillë?

 

Parimi 3. Fuqizimi dhe pjesëmarrja

Le të mendojnë për ata individë  për të cilët ndihemi përgjegjës në drejtim të sigurimit të arsimit për të drejtat e njeriut. A i kemi marrë ne parasysh idetë e atyre qëndikohen nga politikat dhe veprimtaritë tona? Kush mungon në takimet vendimmarrëse dhe kujt i dëgjohet zëri në bisedat tona? Nëse ata nuk janë të pranishëm ose nuk përfshihen në biseda në shtëpitë e tyre, si mund ta realizojmë këtë në tryezatpublike? Si mund të  lehtësojmë shprehjen e pikëpamjeve të tyre për “kur”, “si”, “kush” dhe “çfarë” edukimi për demokraci dhe të drejtat e njeriut ata kanë nevojë?

 

Parimi 4. Mos diskriminimi dhe vëmendja ndaj grupeve të pafavorizuara

Në lidhje me çështjen e fundit: cilat janë grupet  që, aktualisht, kanë më pak të ngjarë të përfitojnë nga programet tona arsimore dhe si mund të sigurojmë pjesëmarrjen e tyre në to?  Grupet të cilëve u mohohen rregullisht të drejtat e njeriut-grupet e margjinalizuara, të pafavorizuara, të diskriminuara-janë ata që duhet të përfitojnë më shumë nga përpjekjet tona në fushën e arsimit.  Si mund t’i identifikojmë  e të mbërrijmë tek ta e më pas të krijojmë programe arsimore që të jenë realisht të rëndësishme e të vlefshme për ta?

 

7. Autor: Felisa Tibbitts (2009). Shënime nga Felisa Tibbitts, përgatitur nga Konferenca e Këshillit të Europës për Vlerësimin e Vitit Europian  të Qytetarisë përmes Arsimit, 27-28 prill 2006,  Sinaia, Rumani.
8. E drejta për arsim shprehet në një numër të madh dokumentesh të Kombeve të Bashkuara dhe të të drejtave të njeriut, duke përfshirë këtu Paktin Ndërkombëtar të të Drejtave Ekonomike, Shoqërore dhe Kulturore (neni 14) dhe Konventa për të Drejtat e Fëmijës (neni 28 dhe 29).  Deklarata të rëndësishme, komente të përgjithshme  dhe dokumente të tjera kanë pasuruar më tej këto konventa në lidhje me të drejtën për arsimim, si Deklarata Botërore për Arsimin për të Gjithë (neni  I, III, IV, VI, VII), Kuadri për veprim i Dakar dhe Arsimi për të gjithë.