Ushtrimi 7.4. – Projekti i planifikimit6

Living Democracy » Textbooks » Ushtrimi 7.4. – Projekti i planifikimit6
Objektivat mësimore

Nxënësit kuptojnë strukturat e varësisë së ndërsjellë në një bashkësi gjatë një periudhe ndryshimi.

Nxënësit kuptojnë se çdo vendim përfshin tërë anëtarët e bashkësisë. Andaj, që vendimet të pranohen dhe të mbështeten, duhet që të gjithë anëtarët e bashkësisë t’i kuptojnë dhe të kenë mundësinë të marrin  pjesë në ecurinë e vendimmarrjes.

Burimet

Përshkrimi i një projekti të planifikuar, të vërtetë ose të përfytyruar, në një lagje qytetëse. Ai duhet të marrë parasysh anën shoqërore, ekonomike, demografike, të transportit, si dhe probleme të tjera.

Mësuesi duhet të përgatitë një grup skedash për aktorët në lojën e shtirë. Shembujt e mëposhtëm mund të shërbejnë për t’i dhënë lexuesit një ide se si një projekt planifikimi i vërtetë mund të mund të simulohet në lojën e shtirë.

Shënim për mësuesin

Ky ushtrim përmban shumë pikësynime të fshehura brenda. I takon mësuesit të vendosë se cila nga këto elemente duhet të diskutohet në mënyrë të qartë dhe cila vetëm sa e ndihmon atë të kuptojë dhe t’u shpjegojë të tjerëve se cila mund të jetë pasoja e mundshme e të mësuarit.

  1. Nxënësit zhvillojnë gatishmërinë për të dëgjuar e për të kuptuar pikëpamjet dhe interesat e ndryshme,  pavarësisht  nëse pajtohen apo jo me to.
  2. Nxënësit mësojnë të parashikojnë pasojat dhe domethëniet e zgjedhjeve në ecurinë e vendimmarrjes.
  3. Nxënësit përjetojnë marrjen e vendimeve në kuadrin demokratik. Kjo kërkon gjetjen e drejtpeshimit midis pjesëmarrjes dhe frytshmërisë (p.sh., të gjithë duhet ta thonë fjalën e tyre, por duhet të ketë një afat kohor për çdo kontribut dhe për ecurinë në tërësi).
  4. Ideja themelore: në një komunitet të hapur, d.m.th., komunitet të mësuari, e mira e përbashkët (vullneti i përgjithshëm) nuk përcaktohet nga çdo autoritet, por pranohet me anë të një vendimi të përkohshëm, që është i hapur për rishikim nëse ndodhin probleme të reja.

Procedura

  1. Nxënësit ndahen në çifte. Çdo palë merr një kopje të projektit dhe një nga skedat. Një çift nxënësish kryeson debatin që vijon.
  2. Çiftet hartojnë një listë me të gjitha dobitë dhe problemet që lidhen me projektin.
  3. Ata e bëjnë këtë të nisur nga pikëpamja e personit,  rolin e të cilit luajnë.
  4. Ata marrin një vendim të përbashkët, pro apo kundër projektit (15 minuta).
  5. Nga ana tjetër, secili çift i paraqet grupit qëndrimin e tij dhe shpjegon arsyet e tij.
  6. Në një debat, çdo çift ka për të thënë atë që do të donte ta shihte të zbatohej. Për çdo nxënës dhe për tërë debatin duhet të vendoset afati kohor.
  7. Nxënësit votojnë në mënyrë që të zbatohet apo jo projekti.

    Vazhdimi i punës

  8. A ka grupe të tjera, vlerësimet e të cilave duhet të merren parasysh?
  9. Deri në ç’shkallë mendimi juaj u ndikua nga ai i të tjerëve?
  10. A ndikojnë interesat e veçanta që mbrohen nga njëri prej grupeve, te grupet e tjera?
  11. A ka grupe  mendimet dhe interesat e të cilave meritojnë më shumë rëndësi?
  12. A ka grupe mendimet e të cilave, janë dëgjuar rrallë ose asnjëherë?
  13. A ka ndonjë zgjidhje të votuar nga shumica e cila përfaqëson zgjidhjen më të mirë për mbarë shoqërinë?

Zgjerim

  1. Nxënësi, si individ, luan një rol të caktuar pa ndihmën e një bashkëpunëtori.
  2. Loja me role përfshin dëgjimin e ekspertëve që mund të tregojnë anë të veçanta të projektit.
  3. Një pjesë e klasës vepron si juri ose parlament vendor, që merr vendimin përfundimtar, për disa grupe të caktuara të interesit, pa avokatët (demokracia përfaqësuese).
  4. Dy ose tri nxënës të veprojnë si gazetarë dhe vëzhgues. Ata vëzhgojnë ecurinë e vendimmarrjes dhe rolet që luhen nga nxënësit.
  5. Nëse në lojën me role simulohet një proces  i vërtetë vendimmarrjeje,  në klasë mund të ftohen politikanë ose  gazetarë vendorë, për të ndjekur nga afër diskutimin me nxënësit.
  6. Ky model mund të përdoret për të organizuar një proces  të vërtetë vendimmarrjeje në shkollë.

Materiale për mësuesit

Questions for designing role-play cards

  1. Ju jeni mësues:
    • Α mund të jepni arsyet tuaja përse projekti është një ide e mirë?
    • A mendoni se ai mund të paraqiste ndonjë problem?
  2. Jeni pronar i një shoqërie të vogël tregtare:
    • A mund të jepni arsyet tuaja përse projekti  është një ide e mirë?
    • A mendoni se ai mund të paraqiste ndonjë problem?
  3. Ju punoni në një qendër mjekësore.
  4. Ju punoni si grumbullues mbeturinash.
  5. Ju jeni një shofer autobusi.
  6. Kohët e fundit keni ardhur nga ndonjë vis a vend tjetër dhe kërkoni punë.
  7. Jeni i një i ri që punoni në lagje.
  8. Jeni administratori i një shoqërie të vogël tregtare.
  9. Jeni përfaqësues politik.
  10. Etj.

 

6. Përshtatur nga S. Fountain, Education pour le développement humain, De Boeck, 1996.